Pak ditë më parë u bë e ditur se Greqia ka vendosur bllokadë Shqipërisë për në BE, për shkak të çështjes së Fredi Belerit.
Analisti Fatos Lubonja u shpreh se kjo çështje duhet të merret si tregues i asaj se cfarë po ndodh në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, Lubonja tha se në BE nuk duhet të futemi që Rama të mburret, ndërsa për Greqinë thotë se duhet të ishte shqetësuar më herët për atë se cfarë po ndodh me pronat e minoritetit.
“Shqipëria nuk është një vend i së drejtës. Është një vend ku drejtësia është e kapur dhe përdoret, prokuroria po kështu, policia po kështu. Rasti i Belerit për mua është një nga rastet e abuzimit që bën ky pushtet me të drejtat e njeriut. Ne jemi të pazotë të ndërtojmë drejtësinë dhe kemi kërkuar nga ndërkombëtarët të bëjnë arbitrin dhe të na kontrollojnë në rrugën e drejtë.
Tani, në këtë aspekt ajo gjë që kam unë problem është se edhe ai artikulli i gazetës greke e thoshte se duhet gjetur një mënyrë për ta rregulluar këtë. Sikur shteti grek ka hallin të zgjedhë këtë problemin e minoritetin, ndërkohë unë shikoj që evropianët që duhet të na mbrojnë ne nga abuzimet, nga rrëshqitje të sistemit që kemi ne, nuk reagojnë fare. Shoh kancelarin Scholz, që nuk shqetësohet fare, nuk pyet pse kanë ikur shqiptarët. Edhe për çështjen e emigrantëve, këta kanë hall të zgjedhin problemet e tyre.
Çështja Beleri duhet marrë si tregues i gjithçkaje që ndodh në gjithë Shqipërinë. Pse duhet të hyjmë në Evropë ne që të mburret Edi Rama që na futi në BE dhe të na shtypë më shumë. Pres nga evropianët që të na ndihmojnë më seriozisht.
Unë pres që Greqia duhet të ishte shqetësuar shumë më herët, si për vjedhjen pronave që u bëhet minoritetit. Ky lloj sistemi po na vjedh dhe ajrin. Pra Greqia duhet të ishte më e informuar dhe duhet ta ngrinte më në përgjithësi se cfarë ndodh në këtë vend dhe jo nga interesi i vet’, tha Lubonja.
