Pas denoncimit për shpërndarjen e barnave të skaduara ndaj pacientëve me tuberkuloz, gazetari Osman Stafa ka bërë sot një reagim të dytë, ku publikon se një nga pacientët e prekur është thirrur nga Dispanceria për të tërhequr barnat e reja, por në vend të një ndjese apo sqarimi institucional, i është kërkuar llogari për denoncimin e bërë.

Sipas postimit të sotëm të gazetarit, pacientit i është bërë presion verbal lidhur me publikimin e rastit dhe jo sqarim për rrethanat e ngjarjes apo sigurinë e barnave që ai kishte marrë.

Në vend që të kërkohet falje, i është kërkuar llogari se pse denoncoi”, shkruan Stafa, duke e cilësuar sjelljen si të papranueshme dhe skandaloze.

Rasti u bë fillimisht publik më 1 gusht 2025, ku gazetari raportoi se në Dispancerinë e Tiranës u shpërndanë ilaçe të skaduara për trajtimin e tuberkulozit. Barnat në fjalë kishin afat skadence korrikun 2025 dhe, sipas tij, janë barna spitalore të cilat nuk gjenden në farmaci, por shpërndahen nga struktura publike.

Denoncimi:

Personi i cili para pak ditëve mori ilaçe të skaduara për tuberkulozin, është telefonuar sot në mëngjes nga Dispanceria, dhe i është kërkuar të shkojë për të marrë ilaçet e paskaduara.

Ka shkuar atje, dhe në vend në një ndjese publike nga titullarja e institucionit, i është kërkuar llogari, se pse denoncove, se pse e bëre publike.

Është anormale kjo sjellje. Është skandaloze.
Si mundet që një personi t’i jepen ilaçe të skaduara, e pastaj t’i kërkohet edhe llogari, se pse e ngrite zërin ti!
E theksoj!!!
Nëse një farmaci në Tiranë, do kapej duke tregtuar një ilaç të skaduar, shkon për ndjekje penale, dhe një sër masash të tjera administrative.
Por këtë kur e bën shteti, s’ka asnjë masë.
Dhe pyetja ime është: I janë dhënë vetëm këtij rasti ilaçet e paskaduara, apo të gjithëve?
Çfarë ndodh me këto barna që kanë qënë të skaduara?
Si ato janë lejuar të jenë në treg? Sa është paguar për to, duke qënë të rimbursueshme?
Kur ka ardhur ky medikament në Shqipëri?
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re