Banka e Shqipërisë shpjegoi vendimin e këshillit mbikëqyrës i cili një javë më parë rriti normën bazë të interesit të lekut, duke çuar atë në 3.25 %. Ndonëse ka një tendencë rënëse të inflacionit, I cili arriti në muajin tetor në 3.8%, banka sqaron se presionet janë ende të larta, aq më tepër kur paga  dhe fitimet e biznesit po rriten.

 

“Rritja e normës bazë të interesit nga këshilli mbikëqyrës u vlerësua si e  nevojshme, për të arritur  qëllimin e kthimit të inflacionit në objektiv në gjysmën e dytë të vitit 2024. Arsyeja pse u mor ky vendim ishte sepse kërkesa për mallra dhe shërbime mbetet relativisht e fortë dhe e qëndrueshme, kjo kërkesë është burim për presione inflacioniste. Kjo kërkesë e lartë po shoqërohet paralel me rritje të shpejtë të pagave dhe fitime nga ana e bizneseve. Pra për ne ishte e domosdoshme”, – sqaroi Erald Themeli drejtor i politikës monetare në BSH.  

 

Por Banka e Shqipërisë argumenton se vendimet e saj kanë patur efekt pozitive në kontrollin e inflacionit, ndërsa kreditë mbeten edhe më të lira, se ato në euro.

 

“Normalizimi i politikës monetare ka qenë një hap I duhur. Ka patur efekte pozitive. Ky normalizim ka kontrolluar inflacionin dhe ka mundësuar trendin rënës të tij. Paralelisht kemi patur ecuri të qetë të tregjeve financiare. Rritja e normës së lekut ka qenë më e ngadaltë se vendimet e partnerëve tanë europiane. Kjo veçanti ka bërë që çmimi  kredisë  në lekë është I barabartë apo më I ulët se ai në euro”, -sqaroi më tej Themeli.

 

Teksa konflikti në Lindjen e Mesme ka shtuar pasiguritë në tregje, rreziku I inflacionit mbetet ende prezent dhe sinjalet që ka dhënë  banka e Shqipërisë për të mbajtur çmimet në kontroll është se do të ketë rritje të mëtejshme të kostos së parasë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re