Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, zbuloi mbrëmjen e sotme në “Çim Peka Live” arsyen e heshtjes së tij ndaj shembjes së Teatrit Kombëtar.
Lame shprehet se ai prej 7 vitesh ka qenë në krye të ALUIZNIT dhe prej 1 viti në krye të Kadastërës dhe nuk ka dashur të prononcohet për një sektor që nuk është i tiji.
“Më mungon teatri,” tha më tej Lame, duke sqaruar më tej se i mungon teatri, por jo godina e Teatrit Kombëtar.
I pyetur se përse ka heshtur për shembjen e teatrit, ai shpjegoi arsyen.
“Kam heshtur sepse unë jam prej 7 vitesh drejtor i ALUIZNI dhe prej një viti drejtor i Kadastrës. Nuk mund të jap mend për një sektor që nuk është i imi. Edhe nëse dikush do fliste për sektorin tim, do e merrja në telefon dhe do i thoja se a ke luajtur mendsh. Fillon dhe mbaron këtu asyeja se përse nuk flas më për trashëgiminë,” tha Lame.
“Sa herë unë flas tani për trashëgiminë, më bombardojnë me pyetje se përse duhet të merrem me këtë pasi nuk është puna ime. Ditën që nuk do jem në këtë post, por do merrem me trashëgiminë apo kulturën, atë ditë do të flisja për fushën tjetër”.
“Unë vetë kam luksin që të bëj debate të forta me kryeministrin për çështje të caktuara, po deshe edhe që kanë të bëjnë me trashëgiminë. Ai ka pikëpamjen e vet, unë kam pikëpamjen time. Është rënë në një të mesme për çështjet që kanë të bëjnë me punën time. Për çështjet e trashëgimisë, gjithmonë ka fituar fjala e tij. Nuk kam fuqi vendimmarrëse, por kjo nuk më pengon të debatoj”.
“Nëse do isha në atë detyrë, nëse do merresha me trashëgiminë apo do isha ministër i Kulturës dhe do mendoja se nuk duhet shembur Teatri, por ai do shembej, do jepja dorëheqjen”.
Lame tha se ka protestuar në të shkuarën edhe për kangjella, por atëherë ishte opinionist i lirë.
/faxweb
