Mazhoranca ka lënë 30 ditë kohë që Lulzim Basha të mbajë frymën. Gramoz Ruҫi në përfundim të Këshillit të Legjislacionit, ku si bazë ka qenë kërkesa e opozitës parlamentare në lidhje me sistemin e ri, që përfshin heqjen e koalicioneve dhe listat e hapura, vendosi që në fund të muajit që nis nesër Parlamenti të diskutojë për ҫështjen, por pa e vendosur si axhendë, apo pa e përjashtuar si të tillë.

Një manovër e gjatë një mujore që i jep një sinjal të qartë opozitës së Lulzim Bashës, duke e lidhur me kushtet që Edi Rama i vuri para pak kohësh nga foltorja nga Kuvendi.

Mazhoranca, për një muaj mban frymën e opozitës së Bashës, por edhe nga ana tjetër i jep mundësi opozitës së Murrizit që të fitojë terren në publik dhe brenda influencave të së djathtës.

Pikërisht në ditën kur Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore do të firmosë dokumentin e reformës zgjedhore, mazhoranca i ka bërë të ditur Bashës, që edhe mund ta modifikojë atë dokument, sipas amendamenteve të Murrizit.

Natyrisht duke mos u përfshirë, por edhe duke mos e refuzuar.

Ka një lojë këtu, që për një afat 30 ditësh, Edi Rama dhe mazhoranca e tij, duket se kërkon të asistojë në një debat të brendshëm të opozitave, duke marrë edhe rolin e një vëzhguesi e diҫka më shumë, që i dërgon një mesazh Bashës.

Mesazh që lidhet dukshëm me një qëndrim të pa deklaruar të PS-së, e cila ka bërë të ditur se nuk i konsideron tabu as eliminimin e koalicioneve e as listat e hapura.

Kjo e dyta nuk i pëlqen Bashës, e para edhe më shumë, por është fakt që duket se PS kërkon që të shkohet në zgjedhjet e 2021-shit pa koalicione, ashtu si në 2017-n.

Dhe me këtë mesazh që Gramoz Ruҫi përҫoi sot, i ka lënë Bashës një mundësi zgjedhjeje. Por kjo natyrisht nuk është zyrtare, se gjithҫka do të varet nga aksioni i opozitës së Bashës, sa ajo do t’i imponohet Edi Ramës për të nxjerrë në fund produktin e firmosur.

Është në lojë një zhvillim i rëndësishëm për të cilin ka kohë 30 ditë, edhe pse në mes të verës, tradita ka treguar se në korrik janë miratuar pikërisht paktet e momentit të fundit. Mazhoranca i ka lëshuar një mesazh Bashës, me një hile në mes.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re