Studiuesit kanë dalë në përfundimin se të kuptuarit e mënyrës se si disa njerëz i rezistojnë natyrshëm infeksionit Covid, pavarësisht se janë qartësisht të ekspozuar ndaj virusit, mund të çojë në vaksina më të mira. Një ekip në Kolegjin Universitar të Londrës tha se disa njerëz kishin një shkallë të imunitetit ndaj Covid-it që përpara se të fillonte pandemia. Me shumë mundësi, kjo ka ndodhur sepse trupi mëson se si të luftojë viruset që janë të ngjashëm me atë që ka përfshirë tani botën.

Përmirësimi i vaksinave në një mënyrë që të mund të kopjojnë këtë mbrojtje, do të mund t’i bënte ato akoma më efektive, tha ekipi. Shkencëtarët po monitoronin nga afër stafin e spitalit gjatë valës së parë të pandemisë duke përfshirë këtu marrjen e mostrave të rregullta të gjakut.

Pavarësisht se ishin në një mjedis me rrezik të lartë, jo të gjithë personat në studim u infektuan me Covid. Rezultatet, të publikuara në revistën Nature, treguan se disa njerëz thjesht arritën ta shmangnin virusin. Por, rreth një në 10 persona kishte shenja të ekspozimit, megjithatë kurrë nuk pati simptoma, nuk u testua kurrë pozitiv dhe kurrë nuk zhvilloi antitrupa kundër Covid-it në gjakun e tij.

Një pjesë e sistemit imunitar ishte në gjendje të kapte virusin përpara se ai të arrinte të rrezikonte personin proces ky që njihet si “infeksion abortiv”. Mostrat e gjakut treguan se këta njerëz kishin tashmë (ashtu si përpara pandemisë) qeliza T mbrojtëse, të cilat njohin dhe vrasin qelizat e infektuara me Covid. Dr. Leo Swadling, një nga studiuesit, tha se sistemet e tyre imunitare tashmë ishin “të përgatitura” për të luftuar sëmundjen e re.

Këto qeliza T ishin në gjendje të dallonin një pjesë tjetër të virusit nga ajo që pjesa më e madhe e vaksinave aktuale e trajnojnë sistemin imunitar për të gjetur.

Vaksinat kryesisht targetojnë proteinën spike, e cila mbulon sipërfaqen e jashtme të virusit Covid. Nga ana tjetër, këto qeliza të rralla T ishin në gjendje të shikonin brenda virusit dhe të gjenin proteinat të cilat janë të nevojshme që ai të riprodhohet. “Punonjësit e kujdesit shëndetësor që ishin në gjendje ta kontrollonin virusin përpara se ai të zbulohej, ka shumë gjasa të kenë pasur këto qeliza T të cilat dallojnë makinerinë e brendshme, që përpara fillimit të pandemisë,” shtoi Dr. Swadling.

Këto proteina të brendshme janë shumë të ngjashme në të gjitha speciet e lidhura me koronavirusin, duke përfshirë ato që janë të përhapura dhe që shkaktojnë simptomat e zakonshme të ftohjes. Kjo do të thotë që sulmimi i këtyre proteinave me një vaksinë mund të sigurojë njëfarë mbrojtjeje ndaj të gjithë koronaviruseve dhe varianteve të reja Covid.

Ekipi tha se vaksinat aktuale po bënin një punë të shkëlqyer që njerëzit të mos sëmureshin rëndë, por nuk ishin aq të mira për t’i ndaluar ata që të kapnin Covid-in. Prof. Mala Maini tha: “Mendoj se të gjithë mund ta shohim që ato mund të jenë më të mira.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re