Tamponët e pambukut mund të duken të padëmshëm, por ato mund të jenë të rrezikshëm kur përdoren për të pastruar veshët tuaj. Shumë njerëz i përdorin kunjat e pambukut për të hequr dyllin e tepërt dhe papastërtitë nga kanalet e veshit, ekspertët  ju këshillojnë të mos e provoni.

Pse mjekët nuk e këshillojnë përdorimin e kunjave të pambukut për pastrimin e veshëve?

Mjekët dhe specialistët e kujdesit të dëgjimit kanë parë shumë katastrofa mjekësore që vijnë nga përdorimi i kunjave të pambukut. Nga daullet e shpuara e deri te veshët e bllokuar nga dylli si pasojë e pastrimit të tyre me kunja.

Sipas një sondazhi nga Healthy Hearing për dëgjimin, u zbulua se pacientët shumë shpesh vendosin gjëra të pazakonta ose të dëmshme në veshët e tyre, duke përfshirë:

  • Kunja pambuku
  • Karficat e flokëve
  • Piskatore
  • Stilolapsa dhe lapsa
  • Kashtë
  • Kapëse letrash
  • Lodrat

Ndërsa kjo është vetëm një listë e pjesshme, është e rëndësishme të kuptoni se asgjë nuk duhet të vendoset brenda veshit për të hequr papastërtitë. Kjo është e rrezikshme. Ja pse:

Kunjat e pambukut mund të shkaktojnë bllokim të daulles së veshëve

Kanali i veshit ka qeliza të specializuara që prodhojnë cerumen, i njohur zakonisht si dylli i veshit. Dylli i veshit grumbullohet shumë më shpejt për disa njerëz sesa tek të tjerët. Kjo mund të çojë në grumbullim të dyllit që shkakton ulje të aftësisë për të dëgjuar dhe në disa raste, dhimbje.

Si një mënyrë e thjeshtë për të shmangur vizitën te një profesionist mjekësor, shumë njerëz përdorin kunja për të hequr dyllin e tepërt, duke shkaktuar më shumë dëm sesa dobi. Pse? Sepse kunjat e  pambukut thjesht e shtyjnë dyllin më shumë drejt daulles së veshit, në vend që ta heqë atë. Ky është gjithashtu një shkak i zakonshëm i veshëve të bllokuar.

Daullja e veshit arrihet lehtësisht me një kunj. Për shkak se daullja e veshit është delikate, ajo mund të çahet lehtësisht duke përdorur edhe presionin më të lehtë kur përdorni një kunj. Dhimbja e veshit është e fortë dhe veshi gjithashtu mund të krijojë rrjedhje. Ndërsa një daulle veshi e shpuar mund të shërohet, mund të marrë pak kohë, por mund të çojë në humbje të përkohshme të dëgjimit.

Nëse keni pasur dhimbje të menjëhershme pas pastrimit të veshëve, kullim, zhurmë në veshë ose humbje dëgjimi, konsultohuni me një mjek

Si të pastroni veshët në mënyrë të sigurt

Veshi i jashtëm, përfiton nga një pastrim i mirë herë pas here. Kjo mund të arrihet me pak ujë dhe sapun, ndërsa bëni dush.

Në shumicën e rasteve, kanali i veshit nuk ka nevojë të pastrohet. Gjatë larjes së flokëve ose dushit, uji i mjaftueshëm hyn në kanalin e veshit për të liruar dyllin që është grumbulluar. Përveç kësaj, lëkura në kanalin tuaj të veshit rritet natyrshëm dhe dylli i veshit shkon me të. Shumicën e kohës dylli do të lirohet dhe do të bjerë vetë ndërsa ju jeni në gjumë.

Çfarë duhet të bëni nëse keni grumbullim të dyllit të veshëve?

Për ata që kanë grumbullim të rëndë dylli, mund të nevojitet një vizitë te mjeku. Mjekët mund ta heqin lehtësisht dyllin e veshit me pak peroksid të përzier me ujë të injektuar në vesh.

Procesi është praktikisht pa dhimbje dhe është efektiv në heqjen e dyllit të prekur. Nëse dylli i tepërt bëhet një problem i shpeshtë, pyesni mjekun tuaj se si mund ta bëni vetë procedurën në shtëpi./Healthyhearing.com

Përktheu për Gazetën Shëndeti, Griselda Ozuni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re