Skip to content

Pse nuk u transmetua mbrëmë “Opinion”? Fevziu fajëson Klanin dhe mohon teoritë konspirative

Emisioni “Opinion” nuk u transmetua mbrëmjen e djeshme në TV Klan, duke ngjallur reagime dhe pikëpyetje të shumta tek publiku.

Mungesa e një prej emisioneve më të ndjekura politike në vend u shoqërua menjëherë me aludime dhe teori konspirative në rrjetet sociale.

Megjithatë, moderatori i emisionit, Blendi Fevziu, ka reaguar publikisht duke sqaruar arsyet e mos-transmetimit.

Sipas tij, shkaku lidhet ekskluzivisht me transmetimin e ceremonisë së Topit të Artë, e cila ishte programuar në të njëjtën fashë orare dhe kishte prioritet në transmetimin e mbrëmjes nga TV Klan.

Fevziu thekson se vendimi nuk ka qenë i tij dhe se “Opinion” nuk është anuluar për arsye editoriale apo për shkak të përmbajtjes së emisionit.

Ai fajëson televizionin Klan për mosnjoftim duke shtuar se çdo interpretim tjetër është i pavërtetë.

Opinion nuk është ndalur dhe nuk ka asnjë arsye politike apo të fshehtë pas kësaj mungese, ka sqaruar Fevziu, duke hedhur poshtë kategorikisht çdo teori konspirative që qarkulloi gjatë orëve të fundit.

Moderatori siguron se emisioni i anulluar dje do të transmetohet sot me të njëjtën temë dhe të njëjtit të ftuar.