Vatikani njoftoi sot se Papa Françesku do të udhëtojë në Kazakistan në shtator për një takim të liderëve fetarë, një mbledhje ku Papa kishte thënë më parë se shpresonte të takonte Patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse.

Në një deklaratë, Vatikani tha se Françesku do të jetë në kryeqytetin Nur-Sulltan më 13-15 shtator për të marrë pjesë në Konferencën e 7-të të Udhëheqësve të Feve Botërore dhe Tradicionale.

Françesku ka thënë në disa intervista të fundit se shpreson të takohet atje me Kirilin, patriarkun e Kishës Ortodokse Ruse.

Deklarata e Vatikanit që njofton udhëtimin nuk përmend Kirilin. Njoftimi u bë publik në rusisht, si dhe në italisht dhe anglisht. Kazakja dhe rusishtja janë dy gjuhët zyrtare të vendit.

Kiril ka dhënë mbështetjen e tij të pandarë për pushtimin rus të Ukrainës.

Françesku kishte planifikuar të takonte Kiril në Jerusalem muajin e kaluar pas një udhëtimi në Liban, por të dy udhëtimet u shtynë.

Papa Gjon Pali II i ndjerë ka vizituar kryeqytetin e Kazakistanit në vitin 2001, i njohur atëherë si Astana.

Pardje, të shtunë, në kthimin e tij nga udhëtimi në Kanada, Papa 85-vjeçar, i cili për shkak të dhimbjeve të forta në gju është i detyruar të udhëtojë me karrocë, tha se nuk do të mund të udhëtojë më në me të njëjtin ritëm si më parë, duke folur edhe për mundësinë e dorëheqjes.

Megjithatë, ai konfirmoi se dëshiron të shkojë në Kazakistan, një udhëtim “i qetë, jo shumë udhëtim”. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re