Analisti Ergys Mertiri, në një intervistë për News Line me moderatoren Viol Xhafaj komentoi vendimin e partive të vogla për të mos bërë aleancë me Sali Berishën për zgjedhjet e 14 Majit. Ai thotë se arsyeja ka të bëjë me faktin se ata janë të vetëdijshëm se me Berishën, PD-ja nuk ka të ardhme.

“Nuk besoj se ka dyshim që faktorët politik e kuptojnë se me Berishën nuk ka të ardhme. Berisha nuk mund të jetë e ardhmja e PD, për shumë arsye, për moshën, për të kaluarën e vet, për konsumimin politik, për figurën e vet që e ka ulur në kuotat më të ulëta që ka qenë ndonjëherë, për faktin se e ka futur në konflikt vetë partinë e vet dhe për faktin se është shpallur non grata nga SHBA, gjë që është në barrë e madhe dhe nuk ka pse ta ndajnë të tjerët këtë barrë me të.“, tha ai.

Sipas tij, Berisha e ka marrë peng PD-në dhe për sa kohë do të vijojë kështu, do të mbetet në opozitë.

“Ka pasur momente dyzimi se ka qenë e paqartë nëse do të vazhdojë të jetë në krye të PD dhe kanë dashur të bëjnë një aleancë për të kaluar radhën me idenë se Berisha do të largohet dhe ai që do të trashëgojë Berishën do të jetë aleati i tyre. Mirëpo mesa duket, shumica janë bindur se Berisha nuk ka për t’ia trashëguar kujt partinë e tij sepse tashmë nuk i beson askujt.

Problemi është që Berisha ka zënë të ardhmen e PD dhe të opozitës. Po e mban peng opozitën duke mbajtur Ramën në pushtet. Për sa kohë të ketë në krye të opozitës, Rama do të jetë në pushtet dhe opozita do të jetë e izoluar nga faktori ndërkombëtar.”, theksoi mes të tjerash Mertiri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re