Për dekada të tëra, Shtetet e Bashkuara ishin destinacioni përfundimtar për shkencëtarët e rinj nga e gjithë bota. Megjithatë, sot ky imazh po shembet.
Qindra kandidatë për doktoraturë dhe studiues po zgjedhin të mos vendosen në SHBA, siç vëren Neë York Times, të frustruar nga politikat armiqësore të imigracionit dhe shkurtimet në fondet e kërkimit. Fluksi tradicional i talenteve po përmbyset.
Në Bangalore të Indisë, një qytet i njohur për përsosmërinë e tij në shkencat e jetës dhe teknologjinë, vetëm një në 30 të diplomuar siguroi një punë në një laborator amerikan këtë vit. Pjesa tjetër po shkon në vende si Austria, Japonia dhe Australia. Disa kanë vendosur të qëndrojnë në Indi, diçka që do të kishte qenë pothuajse… e paimagjinueshme disa vite më parë.
Vendimet e administratës Trump për të kufizuar vizat, për të deportuar studentët e huaj dhe për të shkurtuar fondet e kërkimit kanë shkaktuar tronditje në akademi. Vetëm në Harvard, më shumë se tre miliardë dollarë në grante janë anuluar ose ngrirë. Universiteti Johns Hopkins pushoi nga puna dy mijë punonjës pasi humbi 800 milionë dollarë.
Shqetësimi nuk kufizohet vetëm në humbjen e prestigjit. Shkencëtarë si David Hogg, një profesor i fizikës dhe shkencës së të dhënave në Universitetin e Nju Jorkut, thonë se kërkimi amerikan mbështetet në bashkëpunimin me studiuesit ndërkombëtarë. Pa ta, fusha të tëra janë në rrezik të kolapsit. “Hulumtimi im është i pamundur pa shkencëtarë jo-amerikanë”, thotë ai.
Evropa dhe Azia po marrin drejtimin
Vende si Gjermania, Austria dhe Franca po përfitojnë nga vala e re e migrimit shkencor. Universitetet në Evropë po zgjerojnë vendet e punës për studiues të kualifikuar që po largohen nga Shtetet e Bashkuara. Në Austri, shumë të diplomuar në Bangalore tani po gjejnë tokë pjellore.
Ikja e trurit po godet pikërisht “zemrën” e inovacionit amerikan. Siç thekson Profesor Wim Leemans, boshllëku i lënë nga Shtetet e Bashkuara në fusha si mjekësia dhe kërkimi klimatik është i vështirë për t’u mbushur nga vendet e tjera. “Mungesa e SHBA-së në bashkëpunimin ndërkombëtar ka pasoja globale”, paralajmëron ai.
Në vitin 1945, manifesti “Shkenca, Kufiri i Pafund” shpalli se SHBA-të do të fitonin më shumë nga ndarja e njohurive dhe mirëpritja e shkencëtarëve të huaj sesa nga izolimi. Sot, kjo trashëgimi po braktiset. “Mirëpritja” është bërë një pengesë. Dhe për shumë shkencëtarë të rinj, ëndrra amerikane thjesht është zbehur.
Një studiuese e re nga India, e cila po përfundon tezën e saj mbi kancerin, e përmbledh atmosferën: “Ne gjithmonë e kemi admiruar shkencën amerikane. Është e trishtueshme të shohësh heroin të zbresë nga podiumi.”
SHBA-të rrezikojnë të humbasin jo vetëm mendjet e tyre më të ndritura, por edhe respektin që kanë ndërtuar gjatë dekadave. /tesheshi.com/