Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho në një lidhje për Fax News ka folur në lidhje me variantin e ri të Covid 19, Omicron që po përhapet në Europë, pas zbulimit të rasteve të para në Afrikë.

Dasho tha se të dhënat e deritanishme janë të cunguara, për shkak se popullsia e Afrikën ndryshon shumë nga ajo e Europës, qoftë me moshën e re të saj, qoftë me numrin shumë të lartë të personave të pavaksinuar.

Ai tha se çdo person që ka kaluar 6 muaj nga doza e dytë e vaksinës, apo 6 muaj nga infektimi me Covid duhet të bëjë një dozë përforcuese.

“Në Afrikën e Jugut është vënë re një përhapje e madhe, duhet të shohim si do të sillet virusi në popullatat e vaksinuara. Është ende shumë herët për të bërë konkluzione.

Personat e imunizuar kanë mbrojtje dhe ndaj variantit Omicron, ende nuk dihet sesa është shkalla e mbrojtjes. Si përkthehet kjo në terma konkretë, sa më e lartë të jetë shkalla e mbrojtjes, çdo person që ka më shumë se 6 muaj që ka kaluar Covid, ose 6 muaj që ka marrë dozën e dytë, duhet të marrë dozën e tretë në mënyrë që të përforcojë mbrojtjen ndaj Omicron.

Është e vështirë që ta krahasosh me Deltën, pasi të dhënat e popullsisë në Afrikë janë shumë më të ndryshme nga Europa. Në Afrikë ka një moshë më të re të popullsisë, dhe ka një përqindje më të madhe të personave të pavaksinuar“, tha Dasho.

Eksperti theksoi se të mbrojnë të dyja llojet e imuniteteve, qoftë ai natyral, qoftë dhe ai i i fituar nga vaksinimi me dy doza.

“Mbrojnë dy lloj imunitetesh që janë vaksina, dhe imuniteti natyral, shumë shqiptarë e kanë kaluar Covidin, çka i bën që të kenë një shkallë mbrojtje në raport me virusin, dhe me variantin Omicron. Ata persona që e kanë kaluar sëmundjen, rekomandohet një dozë vaksine”, u shpreh më tej Dasho.

Sipas tij, Shqipëria nuk rrezikohet nga një valë tjetër infektimesh, pasi shumica e qytetarëve fituan imunitet natyral si pasojë e infektimeve në masë, e megjithatë një dozë përforcuese sipas tij është e nevojshme.

“Situata për mendimin tim është e stabilizuar, në raport me pjesën tjetër të Europës, kemi një situatë që ka qindra raste, dhe disa vdekje, që e kanë kaluar rrallë numrin  e 10 vdekjeve. Çfarë na imponon kjo situatë, e para kujdes për pjesën që nuk është vaksinuar, 30% e popullsisë nuk është pak që është e paimunizuar, varianti Delta solli një valë në Shqipëri.

Me hyrjen e deltës që i shpëtoi mbulesës vaksinale patëm një rritje të rasteve, por që nuk ka përmasat e asaj që është duke ndodhur tani në Europën Perëndimore. Në Gjermani janë trefishuar rastet ditore si pasojë e vdekjeve. Në Gjermani numri i vdekjeve është i ulët, pasi ka një numër shumë të madh të të vaksinuarve, ndërsa në Shqipëri kjo është për shkak të imunitetit natyral”, përfundoi Dasho.

Në Gjermani kemi një situatë qartazi , 10 herë më e ulët është impakti i Covid sot në sajë të vaksinimit. Vaksinat nuk vihen më në dyshim, të vaksinuarit sëmuren më lehtë dhe vdesin më pak. Në Shqipëri nëse do të kemi një numër më të lartë të vaksinuarish do të kishim një dimër më të qetë.

Unë e kam deklaruar që në Prill të këtij viti, se pas asaj situate që u bë e qartë se çfarë kaloi shqipëria në vjeshtë dimërt 2020-2021, nuk do të ketë më një valë të tillë infektimesh, shtëpitë u kthyen në spitale, dhe charterat nga Rinasi u bënë më të shpeshtë se taksitë.

Është koha që të bindim të pavaksinuarit që të marrin dozën e parë të vaksinës, personat që kanë kaluar 6 muaj nga doza e dytë të bëjnë të tretën, dhe njësoj dhe për personat që kanë 6 muaj që e kanë kaluar sëmundjen”, përfundoi Dasho.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re