Në tubimet e lëvizjes studentore në Serbi, në prag të zgjedhjeve të së dielës, është bërë i zakonshëm një gjest: ngritja e dorës me gishtin e madh, treguesin dhe të mesmin të hapur.
Shpjegimi i parë është i thjeshtë. Lista e studentëve ka numrin tre në fletën e votimit. Por ky simbol, i njohur në serbisht si ‘pozdrav sa tri prsta‘, ka edhe një histori më të ndërlikuar.
Për shumë serbë, përshëndetja me tre gishta lidhet me Trininë e Shenjtë të traditës ortodokse. Megjithatë, gjatë viteve 1990, ajo u përhap nga politikanët nacionalistë dhe u përdor edhe nga ushtarë e formacione paramilitare serbe gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë.
Në atë periudhë, nacionalizmi serb u lidh me projektin e krijimit të një “Serbie të Madhe”, përmes shkëputjes dhe aneksimit të territoreve në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinës ku jetonin serbë.
Ky projekt u shoqërua me dëbimin e popullsive joserbe, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës.
Për këtë arsye, simboli i tre gishtave mbetet i diskutueshëm, veçanërisht për qytetarët progresistë dhe për pakicat kombëtare.
Megjithatë, shumë serbë vazhdojnë ta përdorin pa e konsideruar domosdoshmërisht shprehje të ekstremizmit nacionalist. Ai shfaqet edhe në aktivitetet sportive dhe në ngjarje të tjera publike.
Kjo paqartësi është bërë e dukshme edhe në lëvizjen studentore që prej afro dy vitesh kundërshton pushtetin e Aleksandar Vuçiç.
Ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i presidentit në fund të shtatorit, me synimin për të kandiduar për kryeministër.
Studentët e kanë paraqitur vazhdimisht lëvizjen si të pavarur nga partitë politike dhe kanë përfshirë edhe pjesëtarë të pakicave kombëtare.
Megjithatë, qëndrimi i tyre ndaj simboleve dhe sloganeve nacionaliste ka qenë i paqartë. Në disa raste i kanë toleruar, ndërsa në të tjera i kanë përdorur vetë.
Kjo duket se ka qenë pjesërisht një zgjedhje taktike, për të mos humbur mbështetjen e studentëve dhe votuesve me bindje nacionaliste.
Por kjo gjë ka shkaktuar kritika nga intelektualët e majtë dhe liberalë, të cilët druhen se një lëvizje kundër korrupsionit mund të përfundojë duke normalizuar retorikën nacionaliste.
Gjatë tubimeve të studentëve, intelektualë dhe politikanë nacionalistë kanë mbajtur fjalime radikale, ndërsa në disa aktivitete janë përdorur këngë nacionaliste. Është dëgjuar edhe termi fyes dhe racist šiptar, i përdorur kundër shqiptarëve.
Në raste të tjera, janë shprehur qëndrime mbështetëse për Republikën Srpska, entitetin me shumicë serbe në Bosnjë-Hercegovinë, i krijuar në kontekstin e spastrimeve etnike gjatë luftës së viteve 1990.
Vendimmarrja e lëvizjes bëhet përmes asambleve studentore, të cilat përcaktojnë edhe hollësi organizative. Kjo e bën më të vështirë qëndrimin se përdorimi i simboleve dhe sloganeve të tilla është thjesht rezultat i incidenteve të izoluara.
Një tjetër çështje ku studentët kanë mbajtur qëndrim të qartë është Kosova. E shpallur e pavarur në vitin 2008 dhe e banuar kryesisht nga shqiptarë, Kosova mbetet një temë qendrore e nacionalizmit serb.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999, forcat jugosllave dhe serbe kryen krime kundër civilëve shqiptarë, ndërsa ndërhyrja ajrore e NATO-s synoi t’i jepte fund konfliktit.
Shumica e serbëve dhe pothuajse të gjitha partitë politike në Serbi, kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, duke u mbështetur te lidhjet historike dhe kulturore, si dhe te prania e komunitetit serb, veçanërisht në veri të saj.
Studentët kanë organizuar tubime në mbështetje të pakicës serbe në Kosovë. Në maj, ata publikuan edhe një memorandum me tone të forta nacionaliste, ku deklaruan se “ruajtja e Kosovës është emëruesi i përbashkët i përpjekjeve tona”.
Kështu, gjesti i tre gishtave nuk është thjesht një shenjë identifikimi e listës zgjedhore. Ai pasqyron edhe kontradiktën me të cilën përballet lëvizja studentore.
