Kur dëgjuam Elton Ilirjanin të fliste gjithë ëndje për Fatos Nanon
nuk u çuditëm aspak. Të gjithë e duan Nanon, qoftë ata që ishin të
vetëdijshëm dhe të pjekur në kohën kur ai ishte aktiv në politikë, qoftë
ata që u lindën në fund të viteve ’90 dhe dinë për politikanin fakte që
mund të numërohen me gishtat e një dore. Nano është përherë popullor, i
admiruar madje, por pse?

Së pari, Fatos Nano është i zgjuar, dinak, i qetë dhe duket se
gjithnjë ka një skemë në mendje. E kanë përshkruar si “serioz edhe kur
bën shaka”. Ish-kryeministri është tejet elokuent kur do, deri në pikën
sa bëhet i vështirë për t’u kuptuar nga masa. Të gjitha këto tipare
shtrojnë bazat për një personalitet karizmatik që vështirë ta shohësh me
inat.

Së dyti, Nano ka një sjellje prej gangsterri, prej çuni të keq. Duket sikur nga çdo pore i buron pyetja “a e di ti kush jam unë?” Siç e vërtetoi kur nuk e lejuan të parkonte makinën aty ku donte. Kur i thanë se kishte parkuar në një vend të ndaluar, ai thjesht tha “Unë jam Fatos Nano.” Si mund t’i përgjigjesh këtij argumenti.

S’mundesh. Mustafa Nano e përshkruan një drekë 6-orëshe me Fatos Nanon kështu: “Ky burrë 6 orë nuk shkoi një herë në banjë, nuk lëvizi, pinte verë pafund dhe nuk dehej. Kishte një gjendje konstante humori. Kishte energji të jashtëzakonshme lokali dhe personazh interesant.” Meqë jemi te pija, pija e tij e preferuar është xhini me ujë tonik.

Së treti, Fatos Nano theu tabu në fillim të viteve 2000, kur deklaroi
ndarjen nga Rexhina, pas 27 vitesh martesë dhe dy fëmijësh të rritur
dhe lidhjen me Xhoanën, një vajzë 20 vite më të re se ai. Rexhina ishte
dashuria e gjimnazit dhe ceremonia e parë e martesës së politikanit
ishte e thjeshtë dhe u mbajt në shtëpinë e të atit. E dyta, që shokoi
opinionin publik, u mbajt në nëntor të vitit 2002 në një club në Tiranë
me mbi 300 të ftuar. Pas kësaj, çifti dhe të ftuarit iu drejtuan Golemit
ku kremtuan martesën. Fatos Nano adoptoi ligjërisht djalin e Xhoanës
nga një martesë e mëparshme. Pra, ai s’do t’ia dij çfarë mendon ti dhe
shiko sa mirë i doli.

Së katërti, Nanon kanë tentuar ta vrrasin disa herë! Rasti më i famshëm është ai i vitit 1998, ku përmes një grushti shteti, kundërshtarët tentuan të marrin në dorë pushtetin duke vrarë Nanon. Për t’i shpëtuar këtij fati, Nano u arratis në rezidencën qeveritare në Pogradec. Gjithashtu, ai u dënua me 12 vite burg në vitin 1994.

Prej shumëkujt dhe prej disa organizatave jo-qeveritare, ai konsiderohej i burgosur politik. Dhe nëse mendoni se në burg Nano do të çmendej, gaboheni. Avokati Idajet Beqiri thotë për kohën e politikanit në burg: “Fillimisht kam menduar se si bythëpambuk Tirane nuk do i duronte dot këto kushte skandaloze në burg dhe do thyhej. Por isha i gabuar. Fatos Nano sillej dhe qëndronte si burgaxhi i regjur. Me zgjuarsinë e tij, me batutat e tij të hidhura, jo vetëm që i vinte të gjithë në lojë, por gjithashtu i shkujdeste aq keq gardianët dhe oficerët e burgut sa e thyente sa herë donte izolimin e egër që i bënin.”

Kur lexon historinë e tij të shkruar, Fatos Nano ngjan si personazhi
problematik i një seriali a filmi, por që e duan të gjithë sepse ka
përcjell fuqi, siguri dhe vetëbesim, pavarësisht të metave./anabel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re