Paris Saint-Germain vijon ta dominojë futbollin francez pavarësisht ndryshimeve herë pas here në organikë. Nëse në Europë nuk po arrin të ketë sukses në Champions League, objektivi kryesor i kësaj skuadre, në Francë dominimi është thuajse absolut.

PSG-ja tashmë e ka siguruar trofeun e kampionatit francez, dhe pret të luhen dy ndeshjet e fundit të kampionatit për ta marrë në duar atë.

I fituar po ashtu është trofeu i Kupës së Ligës. Ekipi i kryeqytetit francez mposhti 3-0 Monakon në finalen e fundit të marsit.

Dhe mbrëmjen e së martës, PSG-ja fitoi 2-0 në finalen e Kupës së Francës ndaj ekipit të kategorisë së tretë, Les Herbiers.

Ky ishte suksesi i katërt radhazi në këtë veprimtari, dhe trofeu i dymbëdhjetë në tërësi, si asnjë skuadër tjetër në Francë.

Një sukses i merituar dhe i pritshëm, por jo lehtësisht i arritshëm, edhe pse rivali në fushë i përkiste një kategorie inferiore.

Lojtarët e PSG-së goditën tre herë shtyllën përpara se të gjenin golin e parë në minutën e 26-të, shënuar nga Lo Celso. Shifrat u dyfishuan me golin e Cavanit nga pika e 11-metërshit pak para nisjes së çerekorëshit të fundit të lojës.

Finalja u luajt në “Stade de France”, në prani të 73.772 spektatorëve.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re