Bisedoi: Elva Kurti

Ndikimi i COVID-19-ës te shëndeti mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve mund të vijojë për shumë vite, paralajmëroi UNICEF-i në një raporti të tij . Më shumë se 1 në 7 adoleshentë të moshës 10-19 vjeç jetojnë me një çrregullim mendor të diagnostikuar në nivel global. Rreth 46,000 adoleshentë vdesin çdo vit nga vetëvrasja, që është një ndër pesë shkaqet kryesore të vdekjes për këtë grupmoshë. Ndërkohë, ekzistojnë hendeqe të mëdha midis nevojave të shëndetit mendor dhe financimit për shëndetin mendor. Raporti zbulon se vetëm rreth 2% e buxhetit për shëndetësinë të qeverive u caktohet shpenzimeve për shëndetin mendor në nivel global.

Gazeta Shëndeti kontaktoi psikologen klinike pranë QSUNT Ada Mehmeti, për të folur lidhur me problemet e shëndetit mendor të fëmijët, rolin e prindërve dhe të mësuesve dhe se në cilat raste mund të konsiderohen shqetësuese problemet e shëndetit mendor tek fëmijët.  Psikologja theksoi se fëmijët e diagnostikuar dhe trajtuar herët kanë më shumë shanse të kenë një cilësi jete më të mirë si në shtëpi dhe në komunitet.

Flasim shpesh për problemet e shëndetit mendor tek të rriturit, ndërkohë si ka ndikuar stili i jetesës në tërësi dhe covid-19 në veçanti në shëndetin mendor të fëmijëve?

Duke qenë se covid-19 zgjati, edhe pasojat do ndihen në afatgjatë. Gjatë punës së përditshme, vëmë re se simptomat e ankthit shfaqen tek ata fëmijë që kanë kaluar Covid-19. Kjo vlen edhe për të rriturit, ankthi apo edhe depresioni është më i shtuar tek ata që kanë kaluar covid-19 dhe që kanë përjetuar edhe komplikacione nga infektimi. Pra, është shtuar pasiguria për të ardhmen dhe për jetën.

A ka komunikim të mjaftueshëm mes prindërve dhe fëmijëve?

Në ditët e sotme është rritur komunikimi i prindërve me fëmijët krahasuar me vite më parë ku prindi me fëmijën kishte një komunikim shumë të cunguar. Megjithatë edhe në ditët e sotme vëmë re që nuk komunikohen çështje esenciale për mirëqenien psiko-emocionale të fëmijës.

A ndikon mungesa e vëmendjes së prindit në shëndetin mendor të fëmijës?

Prindi ka rolin kyç në identifikimin e problematikave të shëndetit mendor, qofshin këto problematika me natyrë emocionale apo fizike. Sa më shpejt që prindi të identifikojë dhe të ketë vëmendje për problematikat që fëmija po përjeton, aq më shumë rezultat pozitiv do të ketë ndihma që do ti jepet fëmijës.

A ka disa shenja që nëse një prind i vë re te fëmija i tij duhet të fillojë të shqetësohet?

Unë besoj se çdo prind arrin të identifikojë problematika sado të vogla tek fëmija i tij. Fëmija reagon në mënyrë të ndryshme, nuk kemi një standard se cilat janë simptomat e para në momentin që diçka nuk po shkon mire. Fëmija e ka të pamundur ta fshehë problemin, që do të thotë fëmija lexohet menjëherë dhe prindi e shikon që fëmija shfaq sjellje jo normale. Në këtë rast prindërit duhet të kërkojnë ndihmë menjëherë.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit për të mbrojtur fëmijët nga probleme të tilla si, ankthi apo depresioni?

Prindërit duhet me patjetër të rregullojnë stilin e jetës së fëmijëve, një stil i shëndetshëm jetese do të sjellë më pak probleme të shëndetit mendor. Dy elementë të rëndësishëm të cilët prindërit duhet të fillojnë ti aplikojnë janë eleminimi i teknologjisë dhe inkurajimi i fëmijëve për ndërveprim social. Këto elementë së bashku i ndihmojnë së tepërmi familjet në menaxhimin e shëndetit mendor të fëmijëve.

Çfarë duhet të bëjnë mësuesit për të ndihmuar fëmijët që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor?

Mësuesit së bashku me prindërit kanë rolin kyç në identifikimin e problematikave të shëndetin mendor. Në momentin që ata identifikojnë tek fëmija problematika emocionale apo në mbarëvajtjen në shkollë ata duhet ta drejtojnë fëmijën tek psikologu i shkollës dhe të njoftojnë prindërit.

A mund ti konsiderojmë shqetësuese problemet e shëndetit mendor tek fëmijët sot?

Një shoqëri me fëmijë që vuajnë nga shëndeti mendor, do të jetë një shoqëri e gjitha me probleme të shëndetit mendor. Një fëmijë që identifikohet dhe trajtohet në kohë nga probleme të shëndetit mendor e ka më të thjeshtë ti zhduk përgjithmonë ato probleme. Një fëmijë i pa trajtuar siç duhet bëhet një i rritur që e ka të vështirë që në të ardhmen të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme.