Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka përsëritur kërkesën e tij për interpelancë urgjente me Kryeministrin për akuzat ndaj vëllait të tij, Olsi Rama për lidhje me laboratorin e drogës së Xibrakës.

Gazment Bardhi u shpreh se Kreu i Qeverisë duhet të shkonte në Kuvend për të dhënë shpjegime, ndërsa kërkoi që të publikohet foto e personit 45-vjeçar të paidentifikuar në dosjen e Prokurorisë, i cili sipas Kreut të Grupi të PD, ka lidhje me trafikun e drogës në Xibrakë.

“Pse nuk u hodh foto, por u zbulua vetëm mosha, kush ishte ky person i paidentifikuar i moshës 45-vjeç që ishte përdorues i të njëjtit automjet gjatë mbledhjes së organizatës kriminale”, u shpreh ai, duke shtuar: “Nuk ka raport të forcave operacionale pa u shoqëruar me foto e video, ta ndihmonte opinion publik për ta identifikuar 45-vjeçarin.”

Bardhi i bëri  thirrje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani të hetojë deri në fund këtë çështje dhe të identifikojë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale.

Gazment Bardhi: E quajti trillim, e ndershme do të ishte të vinte këtu dhe të thoshte atë që i vëllai tha ditën e parë që kjo çështje është hetuar në mënyrë përfundimtare, kur e vërteta është ndryshe. Sipas Prokurorisë në datën 8 mars 2016, Prokuroria për Krimet e Rënda ka ndarë një procedim të veçuar i cili është pezulluar në 2018, ndryshe nga sa gënjeu Rama i fshehur pas emrit të vëllait të tij kjo nuk është çështjen e hetuar në mënyrë përfundimtare.

E di që Rama do të donte të ishte ndryshe, por dosja prej disa vitesh flinte e qetë në arkivat e SPAK duke lënë pa zbuluar një pjesë të organizatës kriminale të laboratorit të parë të drogës në Shqipëri, atë Xibrakës. Do të doja të vinte këtu për të trilluar, se kam bërë hamendësim të pavërtetë që Olsi Rama në 2014 ishte ekzaktësisht 45 vjeç.

Do të doja të vije këtu e të thoshe se janë bërë hamendësime kur thua se personi i moshës 45-vjeç në takim me organizatën kriminale ishte përdorues i automjetit me targa AA 653 DM, nuk vjen dot prandaj fshihet. Se them unë, por dosja që fle në Prokurori.

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, Olsi Rama është përdorues gjatë periudhës së ngritjes dhe përdorimit të laboratorit të drogës, i këtij automjeti.

Këtë automjet e kanë përdorur edhe 3 anëtarë të organizatës kriminale, por as këtë nuk vjen ta thotë që nuk është e vërtetë.

Do doja të vinte të thoshte që njëlloj si Genci Xhixha edhe Olsi Rama, gjatë periudhës së ngritjes së laboratorit ka pasur hyrje dalje të shpeshta në periudha të shkurtra kohore gjatë gjithë kësaj kohe.

Pse nuk u hodh foto, por u zbulua vetëm mosha, kush ishte ky person i paidentifikuar i moshës 45-vjeç që ishte përdorues i të njëjtit automjet gjatë mbledhjes së organizatës kriminale.

Nuk ka raport të forcave operacionale pa u shoqëruar me foto e video, ta ndihmonte opinion publik për ta identifikuar 45-vjeçarin. I bëj thirrje drejtuesit të SPAK të hetojë deri në fund këtë çështje, të identidfikojë dhe të vendosë përpara drejtësisë çdo anëtar të kësaj organizate kriminale që guxon në vitin 2014 në mes të një vendi anëtar të NATO të ngreje laborator droge.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re