Presidenti i qeverisë rajonale të Katalonjës, Carles Puigdemont, i cili u shkarkua nga detyra pas shpalljes së pavarësisë, tha se nuk i njeh vendimet e marra të qeverisë qendrore në Spanjë dhe se do të vazhdojnë të punojnë për një shtet të lirë.
Puigdemont foli për herë të parë pas miratimit të vendimit që qeveria qendrore të marrë kontrollin e drejtpërdrejt të Katalonjës.
Në deklaratën e tij të publikuar në televizionin katalonjas TV3, Puigdemont tha se vendosja e kontrollit të drejtpërdrejt të qeverisë qendrore në rajon, në bazë të nenit të 155 të kushtetutës është një sulm ndaj vullnetit të katalonjasve dhe në kundërshtim me demokracinë.
Ai tha se nuk i njohin vendimet e marra nga qeveria qendrore. Puigdemont kërkoi nga katalonjasit që ta mbrojnë me përgjegjësi “republikën e tyre të re”.
Puigdemont u bërë thirrje katalonjasve që të tregojnë reagimet e tyre nëpërmjet rrugëve demokratike, duke mos përdorur dhunë. “Do të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar një shtet të lirë”, theksoi ai.
Në anën tjetër, gjatë fjalimit të Puigdemont-it prapa tij ishin vendosur flamuj katalonjas dhe të Bashkimit Evropian (BE), kurse mungonte flamuri i Spanjës.
Të shtunën në mëngjes Spanja mori kontrollin e drejtpërdrejt të Katalonjës dhe shpërndau qeverinë separatiste rajonale, pasi që deputetët separatistë katalonjas të premten pasdite miratuan propozimin për pavarësinë nga Spanja. aa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re