70% e vendeve të lira të punës të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Punësimit gjatë këtij nëntëmujori janë ende të paplotësuara, ndonëse 79 mijë qytetarë janë të regjistruar si të papunë.

 

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë janar-shtator 2022, janë shpallur 29 mijë vende vakante, ose 89% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, dhe nga këto, vetëm 36% janë të plotësuara.

 

Faktin që ka një numër të lartë punëkërkuesish dhe paralelisht pjesa dërrmuese e pozicioneve janë ende të lira ekspertët e shpjegojnë me mospërputhjen e kërkesës me ofertën.

 

Sipas tyre, pozicionet vakante nuk preferohen nga grupet që janë në kërkim të një pune për shkak të kushteve dhe pagës minimale. Ose e kundërta: punëkërkuesit nuk plotësojnë kriteret.

 

Ndër sektorët që po e vuan më shumë mungesën e fuqisë punëtore është ai i manifakturës, i cili mund të punësojë menjëherë 20 mijë persona.

 

FLORIAN ZEKJA

SHOQATA PRO-EKSPORT

 

“Arsyet e kësaj situate janë të shumta, emigracioni, ndërmarrjet e reja që po hapen. Duke pasur kërkesë të shtuar nga klientët, po shtohen shumë ndërmarrje në të njëjtin sector. Nuk po arrijmë të plotësojmë të gjitha kërkesat. Ne mund të përthithim 15-20 mijë vetë. Po zëvendësojmë punëtorët me fuqi punëtore të huaj, po i marrim kryesisht nga Afrika.”  

 

Kjo mungesë po vë në rrezik porositë e marra kryesisht nga Italia e Gjermania.

 

FLORIAN ZEKJA

SHOQATA PRO-EKSPORT

 

“Ka që në 2019 që kemi problem me fuqinë punëtore. Me ardhjen e pandemisë, larguam nga puna punonjësit dhe më pas i zëvendësuam, por kërkesat janë të shumta, klientët kërkojnë dyfish më shumë në prodhim dhe i përgjigjemi me vështirësi për shkak të fuqisë punëtore.”

 

Të njëjtën situatë po përjetojnë sot edhe sektorë të tjerë si tregtia, ndërtimi, bujqësia, transporti publik akomodimi dhe shërbimi ushqimor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re