Kryeministri Edi Rama tha se ka vetëm një rrugë për të marrë ndihmë nga shteti për ata që punojnë në të zezë dhe kanë ndërprerë punën nga koronavirusi.
‘Të denoncojnë pronarin, që të marrin pagën e luftës’, tha Rama në OPINION.
Kryeministri deklaroi se e njëjta praktike do të ndiqet edhe për qiratë. Ata që nuk kanë kontrata duhet të denoncojnë, në mënyrë që të përfitojnë nga pezullimi i pagesës për dy muaj, nëse pronarët u nxjerrin probleme.
“Nëse ka një qira që e paguan në të zezë, apo je edhe në punë në të zezë, ka dy zgjedhje, ose të pranojnë fatin e pranuar vetë, ose të denoncojnë. Nëse ne e hapim këtë lojë do të na vijnë të gjithë ata që rrinë në facebook dhe do të na thonë “unë punoj në të zezë””, tha Rama.
Familjarët që kanë humbur punën për shkak të epidemisë, studentët që janë larguar për shkak të epidemisë dhe bizneset e vogla me xhiro 14 milionë lekë dhe që u është pezulluar puna, nuk do të paguajnë qira për muajin prill dhe maj.