Për t’u larguar nga forma e vjetër e dënimit me burg për çdo vepër penale, ata që kanë kryer shkelje të lehta do të kenë mundësinë ta shlyejnë dënimin e tyre edhe duke kryer punë publike.

 

Këtë të mërkurë u nënshkrua marrëveshja mes Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Drejtësisë, që i hap rrugën zbatimit të kësaj nisme dhe që merr rëndësi të veçantë për rastet e të miturve.

 

 

ERION VELIAJ

KRYETAR I BASHKISE TIRANE

“Rehabilitimi është shumë herë më i pranueshëm dhe më civil sesa burgu. Në Tiranë kemi 3500 dënime, nga të cilat 700 janë me orë pune në komunitet. Nga kjo listë e gjatë për shlyerjen e dënimit, 700 qytetarë lirohen nga detyrimi që kanë ndaj shoqërisë dhe ligjit duke kryer diçka të dobishme, edhe për vetvlerësimin e tyre. Mezi pres që këto risi që kemi futur në Tiranë t’i çojmë edhe në qytetet e tjera, sidomos tani që fillon sezoni i plazhit sepse ka nevojë për pastrim, gjelbërim, mirëmbajtje etj..”

 

Me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, sipas ministrit Ulsi Manja, përfitimi do të jetë si për qytetarët që do të kryejnë dënimin e tyre, ashtu edhe për sistemin e drejtësisë.

 

 

ULSI MANJA

MINISTER DREJTESIE

 

“Ne do të vëmë në dispozicion të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit të gjithë personat e dënuar në konflikt me ligjin, por edhe të miturit e dënuar në konflikt me ligjin me dënim alternativ, punë-interes-publik që ta shlyejnë këtë dëm që i kanë shkatuar interesit publik nëpërmjet punës. Kjo aplikohet në të gjitha vendet e Europës dhe shkon me përputhje edhe me qëllimin e dënimit, që është rehabilitimi dhe riintegrimi social i personave të dënuar në konflikt me ligjin. Përfitimi nga kjo marrëveshje është dyanshëm. Për ne si Ministri e Drejtësisë, si Shërbimi i Provës që mbikqyrin këto dënime, është rehabilitimi dhe integrimi në kohë i këtyre personave, ndërsa publiku, shoqëria në krahun tjetër, kompesohet për dëmin që i kanë shkaktuar këta persona.”

 

Erion Veliaj shtoi se në vitin kur Tirana është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, ky është një shans i mirë që kjo pjesë e shoqërisë të riintegrohet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re