Sikur të mos mjaftojë super trafiku i krijuar nga punimet në unazën e re të kryeqytetit, për dy javët e ardhshme edhe qarkullimi për në autostradën Tiranë-Durrës do të rëndohet më tej.

 

Autoriteti Rrugor njofton se nga data 7 deri në 21 Prill nis puna për riparimin e shtresave asfaltike nga Qafë-Kashari deri tek Ura e Dajlani dhe në kthim. Për rrjedhojë do të ketë edhe devijim të qarkullimit të automjeteve.

 

Në ditën e mërkurë, punimet nisin nga Qafë-Kashari në Vorë, ndërsa mjetet do të devijohen në degëzimin e Rinasit në rrugën dytësore. Në ditën e dytë punimet do të fokusohen në Vorë-Maminas, ndërsa mjetet do të kalojnë nën nënkalimin e rrugës së vjetër Vorë-Maminas.

 

Kalendari i punimeve do të vijojë me segemtin Maminas-Sukth e më tëj deri në kryqzimin e Shkozetit për të përfunduar tek Ura e Dajlanit. I njëjti grafik do të ndiqet edhe në kthim, nga Ura deri në Qafë-Kashar.

 

Të njëjtat punime u kryen edhe në vitin 2018, teksa ARSSH ndërhyri për të riasfaltuar autostradën e cila mban fluksin më të madh të automjeteve në Shqipëri me 50 mijë makina në ditë. Por ekspertët më herët janë shprehur se kjo rrugë nuk ka nevojë për arnime, por ndërtim nga e para. Ndërkohë që edhe rruga dytësore e saj është tërësisht e amortizuar, por ajo është nën kompetencën e Bashkisë së Tiranës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re