Ramazan Rraja dhe Fjoralb Rraja, kushëri, të dy banues në Nikël të Fushë Krujës janë mes 6 shqiptarëve të arrestuar në Belgjikë për trafik kokaine. Në një intervistë për Abcnews, babai i Fjoralbit, Fatos Rraja rrëfeu lëvizjes e të birit nga Shqipëria në Belgjikë, telefonatën e fundit, kontrollin nga policia, ndërsa kishte edhe një mesazh për djalin.
Ai tha se punon roje nate dhe se djali nuk i kishte sjellë asnjë një palë këpucë dhe se ishte çuditur me lajmin. Familja Rraja figuron në QKB me një aktivitet tregtar, mobilieri, për të cilën, Fatosi tha se e menaxhonte Fjoralbi. Ramazani është nipi i deputetit Rrahman Rraja, ndërsa Fjoralbin e ka kushëri të tretë.
Intervista e plotë e Fatos Rrajës
Zoti Fatos, si e morët vesh lajmin?
Sot e mora vesh lajmin. Erdhi policia për kontroll sot në shtëpi.
Kur keni folur për herë të fundit me djalin?
Para 6 ditësh.
Çfarë mendoni?
Jam çuditur për Zotin. Mesa di ti, di unë. Thjeshtë, ka ikur ka ardhur, erdhi kur na vdiq një çun xhaje, iku erdhi. Ka një javë që kam humbur kontaktin.
Cfarë ju ka thënë, ku do të ikte?
Për Belgjikë ka qenë me një kushëri të vetin.
Me Ramazanin?
Po.
E ka kushëri të parë?
Jo, të tretë.
Si është lidhja juaj me deputetin?
Deputeti Ramazanin e ka nip, ndërsa unë jam brezi i tretë.
Si e shpjegoni këtë?
Unë u çudita edhe kur më bënë pyetje mua. Unë u thashë nuk kam dalë me u tall, jam me realitetin, u thashë kam humbur kontaktin. Më thanë a di gjë se është ndaluar? U thash kam 5 net një javë që kam humbur kontaktin. Më mori në telefon, a jeni mirë, mirë, hajt u ruajt Zoti.
Policia ju bëri kontroll në shtëpi?
Po më thanë, me urdhër të gjykatës, na e ka sjellë belgu. Në biznes nuk bënë kontroll, kam një prodhim të vogël. Unë jetoj në një shtëpi 1+1. Përderisa nuk kam, një palë këpucë prej çunit, për mua është Allah, Allah, unë jam roje nate në bashki, biznesin e kam pasur në emër të çunit, ai e ka pas menaxhuar. Unë jam roje nate në bashki.
Me deputetin keni folur?
Jo, jo nuk kam pasur kontakt. E kam takuar para 5 ditësh, por nuk kam pasur kontakt se ka pasur hallet e veta. Nuk jam asnjë lloj pasurie, 1+1 në pallat jetoj. Sesi është problemi Zoti e di, se po të ishte në Shqipëri do interesohesha, por ai është atje.
A keni një mesazh për djalin?
Unë dua të lirohet sa më parë, të vijë në shtëpi sa më parë, nëse është korrekt me gjërat. Unë nuk di asgjë, për 6-7 muaj ka shkuar dy herë dhe ka ardhur.
Shoqërohej shumë me Ramazanin?
Këtu po. Por edhe atje derisa sa i kanë kapur të dy, bashkë do të kenë qenë. Mua sot më thanë, dhe mendova prandaj paskam humbur kontaktet me fëmijën, kontrolloni ku të doni.
Sa i përket trafikut të kokainës, personat e tjerë me origjinë shqiptare të arrestuar janë; Musa Gjikola 34 vjeç banues në Tiranë, Genti Balliu alias Flamur Balliu 37 vjeç banues në Tiranë, Bledar Pepaj 29 vjeç banues në Pukë dhe Fatmir Xhecuka 33 vjeç banues në Laç. Sipas policisë ky grup trafikonte kokainë nga Amerika Latine në drejtim të Belgjikës, Holandës dhe Gjermanisë.
Në vitin 2018 është sekuestruar rreth 1 ton kokainë dhe janë vënë në pranga 10 shqiptarë. Operacioni ka vijuar, për të identifikuar dhe arrestuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal të cilët u arrestuan nga data 15 deri në 21 Dhjetor në Shqipëri dhe Belgjikë.
Lënda narkotike fshihej në arkat e bananeve në kontejnerët që niseshin nga Amerika Latine, më pas në Belgjikë, Holandë e Gjermani. Trafikantët u vendosin GPS për të gjetur vendin ku do të shkarkoheshin kontenierët. Për të mos u identifikuar, trafikantët organizonin vjedhjen me armë e me maska në magazinat e bananeve, por në fakt ata merrnin sasinë e drogës.
Sipas policisë shqiptare, gjatë dy viteve të fundit, grupit të trafikantëve u është sekuestruar rreth 232 kg kokainë, armë zjarri dhe një shumë prej rreth 200 mijë eurosh. Ndaj personave të arrestuar ka nisur hetimi pasuror. Ndaj tyre tashmë rëndon akuza për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
/faxweb