Në një paraqitje shumë të ngarkuar, ministrja “e gjelbër” e Familjes, Anne Spiegel u kërkoi falje qytetarëve mbrëmjen e djeshme, të dielën, pasi në verën e vitit 2020, kur ishte ende ministre e Mjedisit në Rheinland-Pfalz, shkoi katër javë me pushime vetëm dhjetë ditë pasi përmbytjet vdekjeprurëse goditën zonën.

Bild am Sonntag zbuloi dje se zonja Spiegel shkoi me familjen e saj në jug të Francës, ku qëndroi për katër javë, ndërsa pushimet i ndërpreu vetëm për një ditë, për të qëndruar për disa orë në Mainz.

Spiegel u përpoq të justifikonte zgjedhjen e saj “të gabuar”, siç tha ajo, më pas. Siç shpjegoi, ajo ishte nën presion, pasi në vitin 2019 burri i saj pësoi goditje në tru, ndërsa katër fëmijët e saj të vegjël kishin vuajtur gjatë pandemisë. “Arritëm në një pikë ku familja kishte nevojë për pushime dhe unë duhej të zgjidhja mes përgjegjësive të mia si ministre dhe atyre si bashkëshorte e nënë. Kërkoj falje për këtë gabim”, tha zonja Spiegel, duke treguar se që nga vendi i pushimeve ka qëndruar në kontakt me ministrinë e saj. Gazeta, megjithatë, zbuloi se edhe pse ministrja kishte lënë të kuptohet se po merrte pjesë në mbledhjet e kabinetit, ajo në fakt ishte përfaqësuar nga zëvendësi saj ministër.

Në fund të faljes publike, ministrja iu drejtua bashkëpunëtorëve të saj dhe dukshëm e zënë ngushtë tha: “Po mendoj të shtoj diçka… Tani duhet ta mbyll… Kërkoj falje për këto gabime”, përfundoi ajo dhe u largua.

Sipas BILD, dje është zhvilluar një takim i jashtëzakonshëm i kryesisë së të Gjelbërve, ku morën pjesë, ndër të tjera, ministri i Ekonomisë Robert Hubbek dhe ministrja e Jashtme Analena Berbok. Sipas gazetës, shumë prej drejtuesve të partisë sugjeruan dorëheqjen e zonjës Spiegel, por ajo nuk pranoi dhe kërkoi një shans të dytë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re