Pas dy vitesh lufte kundër sëmundjes, kemioterapive e shumë barnave eksperimentale, është shuar pak ditë më parë Gabriel Çelaj, një 8 vjeçari shqiptar që jetonte në Itali.

Odiseja e vuajtjeve për familjen nisi në marsin e 2020 e pavarësisht të gjitha përpjekjeve, vogëlushi s’mundi t’i shpëtojë kancerit  (linfomës).

Ishte nëna e vogëlushit, Alma, e cila kishte zbuluar rastësisht një nodul nën sqetullën e vogëlushit të saj. E shqetësuar, ajo kishte shkuar me shpejtësi në spitalin e Lodi-t, shpjegon media italiane, ndërsa më tutje mjekët kishin zbuluar diagnozën e rëndë.

I mituri u transferua më tutje në qendrën onkologjike pediatrike në Pavia, ku iu nënshtrua një sërë ciklesh kemioterapie. Më pas bëri një tranplantim falë dhurimit të të vëllait 16 vjeçar. Gjithçka dukej se shkonte mirë, kur papritur situata u përkeqësua.

Vogëlushi ndërroi jetë disa ditë më parë. Familjarët falenderuan të gjithë ata persona “që përgjatë kohës së vështirë të luftës me sëmundjen, dhanë mbështetjen e tyre të madhe”

Të martën e kësaj jave, vogëlushi u dërguan në banesën e fundit mes lotëve e vuajtjes së madhe.

Për nder të Gabrielit, përgjatë ndeshjes së të mërkurës mes Interit e Liverpulit, një banderolë e madhe u vu re në stadiumin e San Siro-s, ku tifozët kishin shkruar “Pushoft në paqe Gabriel, luftëtar i vogël”.

Gabrieli ishte tifoz futbolli dhe luante me një skuadër fëmijësh (GSO San Fereolo), por sëmundja ia preu në mes jetën dhe ëndrrën e madhe për t’u bërë futbollist.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re