Mazhoranca dhe opozita, si rrallë herë këtë mandat është bërë bashkë për të kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj. Kritikat kanë ardhur nga Vetëvendosje dhe PDK, për mungesën e tij në punimet e Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, deklaroi se kryeministri Haradinaj e ka keqkuptuar rolin e vet dhe se është duke menduar që duhet të kryejë edhe punët e ministrave.

“E ka keqkuptua rolin e kryeministrit dhe po mendon që ai duhet me i kry punët e ministrave, përgjegjësia e tij është që aty kur shkruan interpelanca për kryeministrin, ai të paraqitet”, tha ai.

Konjufca pati edhe kritika të tjera ndaj Haradinajt.

“Ai thotë se nuk jam deri pas 10 dite këtu, pastaj nuk vjen sërish, ndonjë ditë thotë vi dy ditë rend, pastaj nuk vije fare”, shtoi Konjufca.

E edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ishte i pajtimit që rol në bllokadën e kuvendit ka edhe kryeministri Haradinaj.

“Besoj që të gjithë e dijmë se si është situata, është përgjegjësia e qeverisë dhe kuvendit, ngase interpelancat janë stërvonu, e nga 75 pika janë diku 5 interpelanca të kryeministrit”, u shpreh Krasniqi

Ai u shpreh se seancat duhet të vazhdojnë rregullisht dhe jo të ketë bisedime të panevojshme.

“Unë kisha propozuar që të vazhdojmë me seancën sepse po t’i kishim kursyer qytetarët nga ligjëratat do t’i votonim të paktën pesë pika”, tha Krasniqi. /tesheshi.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re