Skip to content

‘Pushteti’/ Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, flet Çollaku: Nuk është një fushatë partiake, por një referendum

Në emisionin ‘Pushteti’  në Fax News ishte i ftuar Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratik, Kreshnik Çollaku ku foli mbi zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt në Kosovë. Ai tha se në këto zgjedhje nuk garohet më se kush do të jetë vendi i parë, por gara e fortë është se kush do të jetë në vendin e dytë pasi Albin Kurti është një fitues i konfirmuar.

Sipas Çollakut kjo nuk është një fushatë partiake, por një referendum  për Kosovën, ndërsa thelbi i krizës politike ka të bëjë me përcaktimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Në gjykimin tim janë zgjedhje atipike, të rralla, të jashtëzakonshme janë një palë zgjedhje ku në mënyrë të qartë nuk garohet më se kush do të jetë vendi i parë, por gara e fortë është se kush do të jetë vendi i dytë në subjektet politike që konkurojnë. Duket tanimë që Albin Kurti me shtimin e Vjosa Osmani është një fitues  i konfirmuar, pritshmëria është e lartë sesa do të përputhet pritshmëria me rezultatin do të shikojmë me datën 14, por qartësisht duket që e kanë një fitues këto zgjedhje. Gara e fortë do të jetë midis subjekteve të dyta PDK, LDK  për vendin e dytë.

Në thelb unë nuk mendoj se kjo është një fushatë partiake ideologjike, në thelb unë mendoj se kjo është një referendum. Është një referendum i Kosovës për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin. Rrjedha e ngjarjeve vajti e tillë sa ky është një referendum i dytë mbas atij të 6 tetorit të parë edhe ai ishte një referendum i Kosovës. Thelbi i krizës politike në Kosovë  do të thoja që është patjerë dhe një krizë që implikon edhe hapësirat kombëtare edhe Shqipërinë, patjetër është përcaktimi i marrëdhënies me Serbinë”- u shpreh Çollaku.

(B.D/Faxweb.al)

/faxweb