Pas 37 vitesh në emigrim, ky burrë është rikthyer në atdhe, për ta kaluar pjesën e mbetur të jetës atje ku lindi. Avduli e la Londrën pas afro 4 dekadash, për të jetuar në shtëpinë e tij në Kosovë.

Guri rëndë, në vend të vet thotë një fjalë e urtë, e duket se për këtë emigrant, shprehja tashmë ka marrë një kuptim të plotë.

“Çdo moment është emocionues, bëhet ringjallja e të kaluarës, prindërve, motrave e vëllezërve të mi. Vetë fakti që mora ajrin e këtij vendi, nënkupton shumë për mua. Kurrën e kurrën në jetën time nuk e mendoja (të ikja), por për shkak të rrethanave të vendit tonë, na është imponuar ta lëshojmë atdheun. Fatkeqësisht unë e mora rrugën e emigrimit për në Angli, që në vitin 1987.

Është të lësh shpirtin e frymën në Kosovë, e ta marrësh trupin në emigracion. Hera e parë kur jam kthyer, ka qenë fundi i vitit’89. Në atë kohë nuk qëndrova gjatë, pastaj jam ardh në vitin ’92. Mirëpo prap, kam patur nostalgji e dashuri për vendin

Ky vend më kujton fëmijërinë time, shokët e mi, atmosferën e asaj kohe. Më duket sikur jam akoma i ri.

Kjo është krejt substanca, pse njerëzit duan të kthehen në vendlindje, se së paku kur dalin nga shtëpia, të mund të thonë mirmëngjesi, si jeni… në emigrim këtë nuk e ke.“-tha mërgimtari në një intervistë për T7

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re