Kremlini ka njoftuar se presidenti rus, Vladimir Putin, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të termocetralit bërthamor ‘Akkuyu’ të Türkiye-s.

“Do të jetë në formatin e një video-konference”, u tha Peskov gazetarëve në Moskë, duke iu referuar objektit të parë të energjisë bërthamore turke të ndërtuar në bashkëpunim me kompaninë shtetërore ruse të energjisë bërthamore ‘Rosatom’, që do të hapet të enjten më 27 prill.

Termocentrali bërthamor ‘Akkuyu’ në provincën jugore Mersin do të jetë centrali i parë bërthamor i vendit, me një kapacitet të instaluar prej 4.800 megavat dhe katër reaktorë.

Projekti filloi me një marrëveshje ndërqeveritare të vitit 2010 midis Türkiye-s dhe Rusisë, me të gjithë impiantin që pritet të funksionojë deri në vitin 2025.

Peskov foli edhe lidhur me letrën e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, drejtuar presidentit Putin në lidhje me zbatimin e nismës së drithërave të Detit të Zi. Peskov tha se ajo letër është marrë përmes kanaleve diplomatike dhe po shqyrtohet.

Megjithatë, ai paralajmëroi Mbretërinë e Bashkuar për përgjegjësinë në lidhje me dërgimin e municioneve të uraniumit në Ukrainë dhe atyre që synojnë ta përdorin atë.

“Anglezët duhet të kuptojnë se duhet të mbajnë përgjegjësi. Dhe, natyrisht, ata që do të përdorin drejtpërdrejt municione të tilla duhet të kuptojnë se jo vetëm që do t’i shkaktojnë dëm të pariparueshëm vetes dhe qytetarëve të tyre, por do të duhet të mbajnë edhe përgjegjësi për të”, tha Peskov.

Duke komentuar dekretin presidencial për paraqitjen e menaxhimit të jashtëm për dy kompani të huaja në Rusi, Peskov tha se kjo është një përgjigje ndaj “veprimeve agresive të vendeve jomiqësore, që synojnë krijimin e një kornize ligjore për sekuestrimin e aseteve të kompanive ruse jashtë vendit”.

Ai tha se disa vende vepruan nga menaxhimi i jashtëm në konfiskimin e pronës së kompanive ruse.

“Ky dekret nuk e vë në pikëpyetje pronësinë dhe nuk i privon pronarët nga pasuritë e tyre. Menaxhimi i jashtëm është i përkohshëm dhe nënkupton të vetmen gjë… pronari fillestar nuk ka më të drejtë të marrë vendime menaxhimi”, theksoi Peskov.

Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se lista e kompanive për të cilat zbatohet dekreti mund të zgjerohet.

Ai po ashtu tha se presidenti Putin po monitoron nga afër situatën me zjarret, përfshirë në rajonin Sverdlovsk ku dje u dogjën 134 shtëpi.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re