Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu mbyll dera nga Bashkimi Europian për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, por ende pa u zyrtarizuar ky vendim në samitin e liderëve të 17 dhe 18 tetorit, Tiranës i është “hapur një dritare” nga Rusia.

Në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj BE-së, pas mos hapjes së negociatave, Moska i ka bërë një ofertë të papritur Tiranës dhe Shkupit, duke i ftuar të bëhet pjesë e Bashkimit Euro-aziatik.

Deklarata erdhi publikisht nga Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, i cili ka ftuar dy vendet që të anëtarësohet në Bashkimin Ekonomik Euro-aziatik (EEU) gjatë një forumit të këtij bashkimi ekonomik në Verona, Itali të premten.

Por Gazeta Si ka mësuar se ftesa zyrtare i ka ardhur Shqipërisë 1 muaj më parë dhe kërkesa ka mbërritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Gazeta mëson se Ministria e Jashtme është kapur në befasi nga ftesa zyrtare dhe po shqyrton prej një muaji këtë ofertë, për të cilën nuk ka ende një qëndrim publik.

Por do të ishte diplomati Chizhov ai që do ta artikulonte publikisht këtë ftesë, duke i kujtuar Tiranës zyrtare se oferta është ende të tavolinë. Ai u ndal tek shtyrja e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit, duke thënë se si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut do ta gjejnë gjuhën e përbashkët më shpejt me Rusinë sesa me BE-në.

(Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në BE, Vladimir Chizhov)

“Jam i sigurt që vendet, të cilat janë kandidate për anëtarësim në BE së fundmi janë zhgënjyer nga Brukseli, por mund të gjejnë më shumë mirëkuptim në Bashkimin Ekonomik Euro-aziatik”, tha Chizhov.

Unioni Ekonomik Euro-aziatik është një bashkim ekonomik i udhëhequr nga Rusia. Ai është nënshkruar në vitin 2014 nga Bjellorusia, Kazakistani, Armenia, Kirgistani dhe Rusia.

Rusia sheh vendndodhjen gjeografike të Ballkanit Perëndimor, si udhëkryqin mes saj dhe një Europe të bashkuar, si dhe pasurinë e saj kryesore. Kjo është arsyeja pse Moska i kushton rëndësi të veçantë situatës në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, dhe sigurisht edhe arsyeja e ofertës së guximshme nga qeveria ruse.

Ftesa e Rusisë vjen ndërkohë që Serbia u bë zyrtarisht disa ditë më parë pjesë e këtij unioni, duke u bërë kështu vendi i dytë evropian që i bashkohet EEU-së. Edhe pse Komisioni Europian paralajmëroi Beogradin që të qëndronte larg këtij unioni, kryeministrja serbe Ana Brnabiç nënshkroi të premten marrëveshjen e tregtisë së lirë me vendet e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik në Moskë. Përveç Brnabiç, marrëveshja u nënshkrua nga Kryeministrat e Rusisë, Bjellorusisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Armenisë.

Marrëveshja e Serbisë me EEU-në është cilësuar nga ekspertët si pasoja e parë e mos hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, vendim i cili ka shuar shpresat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Ky vakum duket se i ka lënë terrenin e lirë Rusisë, e cila, si hapin e parë për t’u përfshirë në rajon, ka ftuar vendin tonë si edhe Maqedoninë që t’i bashkohet Serbisë në nismën e saj, edhe pse shanset janë pothuajse zero.

Kjo marrëveshje ofron pak të mira ekonomikisht, por në këtë moment merr një rëndësi të jashtëzakonshme gjeostrategjike, pasi tregtia e lirë më pesë ish-vendet Sovjetike do të ishte prova më e mirë se mospërfshirja e BE-së lë derën e hapur për ndikimin rus dhe kinez.

Për shembull, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga kryeministrja Brnabiç, Serbia do të negociojë shitjen pa tarifa të djathit, rakisë së frutash dhe cigareve me Rusinë, Bjellorusinë, Kazakistanin, Armeninë dhe Kirgistanin. Në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj BE-së, Ambasadori i Rusisë në Bruksel i ka ofruar të njëjtën perpektivë edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Por cilat janë marrëdhëniet tregtare që Shqipëria ka me Rusinë dhe a është kjo ftesë thjesht një provokim ndaj BE-së?

Shqipëria prej 2014-ës ka humbur një treg të rëndësishëm ku eksportonte prodhimet bujqësore si pasojë e bërjes bashkë me vendimin e Këshillit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Madje katër vjet pas sanksioneve të para ndaj Rusisë, qeveria shqiptare ka vendosur që ti shtyjë ato deri në janar të vitit 2020.

(Ambasadori rus Aleksandër Karpushin dhe Kryeministri Edi Rama)
Në një intervistë të dhënë vitin e kaluar, Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, deklaroi se përfshirja e Shqipërisë me vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Moskës po dëmtonte marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes Shqipërisë dhe Rusisë.

Karpushin i sugjeronte Shqipërisë që të ndjekë të njëjtën rrugë si Serbia, Maqedonia dhe Turqia, të cilat bashkëpunojnë me Rusinë pa dëmtuar aspiratat europiane.

“Fqinjët e Shqipërisë, si Maqedonia dhe Serbia, dhe krahas tyre edhe Turqia, demonstrojnë qartë se bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe dinamik me Rusinë është i mundur dhe aspak nuk bie në kundërshtim me aspiratat evuropiane”- shprehej Karpushin.

Aktualisht ne eksportojmë në tregun rus ushqime, pije, duhan, produkte kimike dhe plastike, prodhime druri dhe letre, tekstile dhe këpucë, materiale ndërtimi dhe metale, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Po ashtu, shumë ekspertë, si Alban Zusi nga Qendra e Eksporteve Shqiptare, thonë se Shqipëria ka humbur një treg të rëndësishëm.

“Humbja është se tregu rus është një treg shumë i mirë për produktet tona bujqësore, por natyrshëm ne kemi orientim gjeostrategjik me Europën. Gjithsesi marrëdhëniet tona po të duam të bëjmë një bilanc ne kemi marrëdhënie tregtare shumë më shumë me Europën se sa me Rusinë. Nëse duhet të vendosemi përpara një zgjedhjeje, ne zgjedhim Europën.

Natyrshëm ekonomikisht jemi më të lidhur me Europën, vetëm nga produktet industriale, industria e lehtë, tekstile jemi 500 mln euro eksporte”, deklaronte Zusi një vit më parë për Gazetën “Si”.

Në Shqipëri nuk ka kompani të mëdha ruse dhe i vetmi shembull i investimeve ruse është blerja e pasurisë së paluajtshme në bregdetin shqiptar, në Vlorë, Sarandë dhe zona të tjera. Por Ambasadori rus në vendin tonë thotë se Shqipëria nuk është duke e shfrytëzuar potencialin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë.

Megjithatë, për ekspertin Lisen Bashkurti ftesa e Rusisë që vendi ynë t’i bashkohej forumit ekonomik Euro-Azitatik, ishte e pritshme dhe fajtorja e vetme është BE-ja.

“Ashtu siç e kishim parashikuar, vakumi që la BE me mos hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po shndërrohet në avantazhe nga Rusia, e cila fton këto dy vende të dëshpëruara që t’i bashkohen Unionit Ekonomik Euro-Aziatik”, shkruan ai.

“As në politikë dhe as në gjeopolitikë nuk ka zona të zbrazura, palët rivale shfrytëzojnë çdo moment për të shtrirë praninë, ndikimin dhe interesat e tyre. Rusia me veprimet e saj po ndihmon Ballkanin dhe BE për të qartësuar më mirë për tektonikat gjeopolitike të shkaktuara nga dobësitë e të dy palëve: vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE-së”, shton ai.

Por për Bashkurtin, problemi më madh i ftesës së Rusisë dhe vendimit të Serbisë për t’iu bashkuar këtij unioni është mini- Shengeni Ballkanik, i nënshkruar nga presidenti serb dhe kryeministrat Rama dhe Zaev, i cili i mundëson Rusisë dhe vendeve të tjera anëtare të EEU-së te eksportojnë nëpërmjet Serbisë, produktet e tyre në vendin tonë dhe e anasjelltas.

“Shengeni Serbo Centrist – Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi është një ‘paradhomë’ hyrëse për në këtë Union Rus”, thotë eksperti. “Këmbana bie për t’u dëgjuar.
Ariu polar nuk fle edhe kur i mban sytë mbyllur, ndërkohë që Ballkani dhe BE duket se flenë edhe kur i mbajnë sytë hapur.

Po ashtu, edhe media amerikane “Bloomberg” shkruan sot se vendimi i Vuçiç për t’iu bashkuar këtij unioni është nxitur nga vendimi i Presidentit francez Emmanuel Macron për të bllokuar perspektiven europiane të Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ajo sjell në vëmendje edhe Shengenin Ballkanik, të cilin e konsideron si një nismë të vendeve të rajonit për të ndihmuar njëra-tjetrën.

“Përballë pasigurisë, shtetet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë zotuar të krijojnë tregun e tyre të përbashkët, ndërkohë që presin të anëtarësohen në BE. Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë njoftuar planet për të forcuar tregtinë, një shfaqje e rrallë uniteti pas konflikteve etnike të viteve 1990. Ata gjithashtu ftuan Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën të bashkohen”, thekson “Bloomberg”.

“Nëse BE-ja dëshiron të ndihmojë rajonin, duhet ta ftojë Ballkanin në shtëpinë e vet,” thotë Timothy Less, ekspert i Qendrës Amerikane për Gjeopolitikë. “Por BE nuk ka më një plan për stabilizimin e Ballkanit, duke i lënë kështu terrenin e lirë Rusisë”.

/Gazeta Si

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re