Ka reaguar për herë të parë vetë presidenti Putin, ndaj dy shtetasve të identifikuar nga autoritetet britanike si atentatorët me helm ndaj Skripalëve, babë e bijë, ngjarja e ndodhur në mars në Britaninë e Madhe, e cila futi në krizë të thellë Londrën me Moskën.

Dy të dyshuarit në helmimin e ish-spiunit  rus Sergei Skripal dhe vajzën e tij Julia, janë civilë dhe jo kriminelë, tha Putin, duke shtuar se Moska e di identitetin e tyre të vërtetë.

Putin shtoi se së shpejti ata do e rrëfenin historinë e tyre të vërtetë, duke lënë të nënkuptuar se diç tjetër fshihet pas aktit të tyre.

Fjala është për Aleksandër Petrov dhe Ruslan Bosirov.

Duke folur në një forum ekonomik në Vladivostok, Putin tha se qeveria ruse i gjeti ata, se ishin civilë dhe se ai shpreson të shfaqet së shpejti dhe të tregojë historinë e tyre.

“Unë shpresoj se do të shfaqen dhe do të kërkojnë falje. Do të ishte mirë për të gjithë, nuk ka asgjë të veçantë, asgjë penale, unë ju siguroj, ne së shpejti do të shohim”, tha Putin.

Për ta tashmë ka një urdhër-arrest evropian.

Sergey Skripal, një ish-kolonel i inteligjencës ushtarake ruse dhe vajza e tij Juliet, u gjetën pa ndjenja në një stol publik në Salisbury 4 mars.

Britania e Madhe akuzoi menjëherë Rusinë për helmimin e tyre, duke identifikuar dhe lëndën – një noviçok – një agjent nervor vdekjeprurës i zhvilluar në ’70 – ’80 nga ushtria sovjetike.

Por Rusia ka hedhur poshtë çdo përfshirje në këtë sulm.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re