Presidenti rus Vladimir Putin i bëri thirrje ushtrisë ukrainase që të marrë kontrollin mbi pushtetin në Ukrainë.

“Merrni pushtetin në duart tuaja. Duket se do të jetë më e lehtë për ne të arrijmë marrëveshje me ju sesa me këtë bandë narkomanësh dhe neo-nazistësh që kanë marrë peng të gjithë popullin ukrainas”, tha Putin, duke iu referuar qeverisë ukrainase.

Putin i bëri këto komente teksa po fliste në një takim të Këshillit të Sigurimit rus në kryeqytetin Moskë.

Ai pohoi se konfrontimi i madh në Ukrainë po ndodh me “formacionet nacionaliste, të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për gjenocidin në Donbas dhe gjakderdhjen e civilëve paqësorë në të dy republikat”.

Putin akuzoi qeverinë ukrainase se “strukej pas civilëve”.

“Edhe një herë, u bëj thirrje ushtarakëve të forcave të armatosura të Ukrainës. Mos lejoni që neo-nazistët të përdorin fëmijët tuaj, gratë tuaja dhe të moshuarit si mburoja njerëzore”, tha ai.

Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë hyri në ditën e dytë, me raportet e fundit që tregojnë se trupat ruse po shkonin drejt kryeqytetit Kiev nga disa drejtime.

Putin kishte urdhëruar ndërhyrjen ushtarake të enjten, vetëm disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në Ukrainën lindore.

Ai pretendoi se Moska nuk kishte plan për të pushtuar vendin fqinj, por donte të “çmilitarizonte” dhe “denazifikonte” Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se po përpiqet të instalojë një qeveri-kukull dhe tha se ukrainasit do të mbrojnë vendin e tyre kundër agresionit rus.

Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e rreth 150.000 trupave në kufirin me Ukrainën.

Ata pretenduan se Rusia po përgatitej të pushtonte fqinjin e saj perëndimor, akuza të kundërshtuara vazhdimisht nga Moska.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re