Presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje të martën rusëve të votojnë për ndryshimet kushtetuese që do t’i lejonin atij të kandidojë përsëri për president, duke i quajtur reformat një garantues të stabilitetit, sigurisë dhe begatisë.

Zoti Putin e bëri thirrjen në skenën e një beteje të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore midis Ushtrisë së Kuqe dhe nazistëve në prag të ditës kryesore dhe të fundit të një votimi shtatë-ditor në mbarë vendin që do ta ndryshonte kushtetutën për herë të parë që nga viti 1993.

Sipas ndryshimeve të propozuara, që sondazhet thonë se mbështeten nga dy të tretat e votuesve, Putin do të lejohej të kandidojë edhe për dy mandate të tjera gjashtë-vjeçare pas mbarimit të mandatit aktual që skadon në vitin 2024.

Kjo mund të bëjë që ish oficeri i KGB-së, tani 67 vjeç, të qëndrojë në këtë post deri në vitin 2036, megjithëse Putini ka thënë se nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar se çfarë dëshiron të bëjë.

Kritikët dhe mbështetësit e vendosur janë të bindur se ai do të kandidojë përsëri, ndërsa disa analistë besojnë se ai ende nuk marrë një vendim, por dëshiron t’i mbajë të hapura opsionet e tij deri në minutën e fundit, për të mos humbur influencën.

“Ne nuk po votojmë vetëm për ndryshime. Ne po votojmë për vendin në të cilin duam të jetojmë, me një arsim dhe sistemi shëndetësor modern…”, tha zoti Putin.

Gjatë fjalimit ai nuk përmendi se si mund të ndikojnë ndryshimet kushtetuese në karrierën e tij politike. Edhe gjatë fushatës zyrtare, njerëzit janë inkurajuar të votojnë për ndryshimet e tjera, pa përmendur amendamentin që lejon zotin Putin të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036, nëse rizgjidhet. /VoA

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re