Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti në Teheran më 19 korrik dhe pritet të mbajë bisedime me homologët e tij iranian dhe turk, Ebrahim Raisi dhe Recep Tayyip Erdogan.
Bisedimet pritet të përqendrohen në propozimin e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, që ka për qëllim rikthimin e eksporteve të drithërave ukrainase për të lehtësuar krizën globale ushqimore.
Në agjendë të bisedimeve pritet të jetë edhe konflikti në Siri.
Kjo vizitë është pjesë e të ashtuquajturit format të bisedimeve të Astanës, që lidhen me Sirinë.
Putin po ashtu është paraparë të takohet me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Kjo është vizita e parë e liderit rus jashtë ish-shteteve të Bashkimit Sovjetik, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Yury Ushakov, këshilltari për politikë të jashtme i Putinit, u tha gazetarëve në Moskë se bisedimet e Putinit me Erdoganin do të përfshijnë edhe planin për të zhbllokuar dërgesat e drithërave ukrainase.
“Çështja e dërgesave të drithërave ukrainase do të diskutohet me Erdoganin… Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë punën në këtë drejtim”, citohet të ketë thënë Ushakov.
Rusia ka marrë kontrollin e disa prej porteve në Detin e Zi dhe ka bombarduar disa të tjera, përfshirë edhe portin e Odesës, ndërsa Ukraina ka vendosur mina në afërsi të disa porteve, me qëllim që të parandalojë sulmet tokësore ruse.
