GRU- shërbimi inteligjent ushtarak rus mbi të cilin së fundi rëndon dhe akuza e helmimit të Skripalëve, është vlerësuar me superlativa nga presidenti Putin. Në 100-vjetorit e themelimit të kësaj instance, Putin tha se GRU zotëron aftësi unike.

“Si një komandant suprem, pa ekzagjerim e them se ju zotëroni aftësi unike, të cilat përfshijnë kryerjen e operacioneve të veçanta”, tha Putin.

“Unë jam i sigurt, se sa i përket profesionalizmit tuaj, guximit personal dhe vendosmërisë, secili prej jush do të bëjë gjithçka që kërkon Rusia dhe populli ynë”, shtoi kreu i Kremlinit.

Duke folur në një ceremoni të mbyllur në një teatër ushtarak në Moskë, i cili u transmetua në televizionin publik, Putin falënderoi agjentët e shërbimeve të inteligjencës ruse për shkak të “rolit të madh në likuidimin e udhëheqësve të grupeve të armatosura dhe infrastrukturës së tyre në Siri.”

Putin, i cili ishte drejtor i shërbimit të inteligjencës së brendshme para se të bëhej president, publikisht përkrah dhe u jep mbështetje spiunëve rusë.

GRU u themelua në vitin 1918, pas revolucionit bolshevik.

GRU është një nga tre shërbimet kryesore të inteligjencës ruse, me Shërbimin Federal të Sigurisë së Brendshme dhe Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme – SVR.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re