Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e quajti “ngjarje të tmerrshme, katastrofë” sulmin ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli në Gaza, ku mbetën të vrarë qindra njerëz.

“Sa i përket sulmit në spital, tragjedisë që ndodhi atje, është një ngjarje e tmerrshme, qindra të vdekur, qindra të plagosur. Kjo është, sigurisht, një katastrofë”, tha Putin në një konferencë për media në Pekin, ku po merr pjesë në forumin e tretë të Iniciativës “Brez dhe Rrugë”.

Presidenti rus tha se pret që ngjarja të jetë sinjal për t’i dhënë fund këtij konflikti sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të filluar “kontakte dhe negociata”.

Mbrëmë, siç njoftuan zyrtarët palestinezë në enklavën e rrethuar, mbi 500 palestinezë u vranë në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza. Megjithatë, Izraeli ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.

Gaza tashmë po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore janë në mbarim e sipër.

Konflikti filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksa-së”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Të paktën 3.300 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa në palën izraelite shifra qëndron në mbi 1.400 të vrarë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re