Vetëm 7 vaksina janë kryer ditën e sotme në stendat e vaksinimit që janë instaluar pranë Universitetit të Elbasanit, çka i ka detyruar punonjësit që të largohen para mesditës, për shkak të interesit shumë të ulët.

Gazetarja e Fax news Entela Duka raporton nga Elbasani, se ka pasur një interesim shumë të ulët për vaksina gjatë të gjithë javës, ku në total janë kryer rreth 120  vaksina, në raport me 6 mijë studentë që llogaritet të ketë universiteti “Aleksandër Xhuvani”.

Pavarësisht se të hënën nis viti i ri akademik, studentët duket se nuk janë të interesuar të kryejnë vaksinën, dhe shumë prej tyre preferojnë vaksinën Pfizer. Mësohet se studentët që shkojnë të interesohen pranë stendave të vaksinimit, janë shumë herë më të shumtë në numër, se ata që binden në kryerjen e vaksinës.

Të hënën nis viti i ri akademik, dhe sipas rekomandimeve të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, secili prej studentëve ka tre mundësi që të lejohet të jetë pjesë e auditoreve: Certifikatë vaksinimi, test pcr negativ, ose rekomandim nga mjeku i familjes që ka pamundësi në kryerjen e vaksinës.

Mbetet për tu parë sesi do të veprohet nga ana e universiteteve, pasi në shkallë vendi numri i studentëve që pranojnë të vaksinohen është shumë i ulët, llogaritet në shifrat e 30%.

Detyrimi i vaksinimit është dhe për stafin peagogjik dhe atë administrativ.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re