“Kam mpirje të këmbëve, a më vjen kjo për shkak të Trombofilisë Hereditare?”
Dr.Sotiraq Lako
Mjek hematolog

Trombofilia nuk është sëmundje ështe predispozicion, tendencë, prirje, për hiperkoagulim, për trombozë. Njerëzit me trombofili kanë një mundësi, risk, më të madh për të bërë trombozë, në krahasim me njërëzit që nuk kanë ndryshime të tilla. Por, jo çdo njeri me trombofili (të lindur, të fituar, apo të dyja bashkë) do t’i ndodhi tromboza. Ka shumë njerëz që lindin, rriten, vdesin, që kanë trombofili të lindur, të fituar, apo të dyja bashkë dhe nuk e dinë që e kanë.

Trombofilia – fjalë për fjalë do të thotë: prirje, tendencë, për hiperkoagulim, tromboza.

Ajo mund të jete e lindur (Trombofilia Hereditare, mutacione gjenetike të trasheguara sipas Mendelit, pra mutacione në nivel të gametave) dhe e Fituar (deficiti i fituar i Proteinës C, S, AT III, hiperhomocisteinemia, Sindromi Antifosfolipid).

Ka faktorë të lindur dhe të fituar që favorizojnë trombozat (që mund t’i futim në ombrellën e trombofilisë – hemoglobinopatitë, fibrilacioni atrial, foramen apertum e atriumit, embolat vajore, gazoze, aterosklerotike, deficiti i Vitaminës B12, defiçiti i hekurit (shkakton trombocitozë), obeziteti, përdorimi i kontraceptivëve oral me bazë estrogjeni, eritropoetina, kanceri, kirurgjia, aksidenti, udhëtimet e gjata me avion, sëmundja e Covid-19, ose çdo procedure/sëmundje që të mban shtrirë mbi të paktën 3 ditë, sëmundjet autoimmune, sëmundjet inflamatore, hiperviskoziteti, dehidrimi, mjekimet antitumorale dhe jo vetem, vena varikoza, mosha, jeta sedentare, përdorimi i alkoolit, duhanit, pijeve energjike etj).

Sëmundje është tromboza në çdo nivel (luftohet dhe pastaj vazhdohet me profilaksi dytësore për të synuar parandalimin e një trombozë të re në të njëjtin lokalizim ose në lokalizime të tjera) për një kohë të caktuar, ose për të gjithë jetën, në varësi të faktorëve predispozues të lindur dhe të fituar.

Çrregullimet e Hiperkoagulimit janë përgjegjese për infertilitet të pashpjegueshëm, abortet spontane, keqformime të fetusit, lindje të parakohshme, Preeklampsia/Eklampsia, tromboza arteriale/venoze të nënës, mossukses të FIV, patologji të placentës (oligohydramnios, placentar abruption).

Dhe trombozat (si dhe kanceri, hipertensioni, diabeti, dyslipidemia), nuk ndodhin vetëm për shansin e keq (kanceri i pulmonit ndodh shpesh tek ata njërëz që përdorin duhanin, por ndodh dhe tek ata që nuk e përdorin). Sëmundjet janë bashkëveprim midis predispozicionit të lindur, të fituar dhe faktorëve ambientale. Pra që të ndodhin semundjet duhet predispozicioni (i lindur, i fituar, të dy së bashku) dhe situata që e favorizon këtë sëmundje

Sipas Collins: “Çdo sëmundje, me përjashtim të traumës/aksidentit, ka bazë gjenetike”.

Asnjë sëmundje nuk ndodh rastesisht. Çdo sëmundje është ndërveprim i a) predispozicionit të lindur gjenetik/epigjenetik, b) predispozicionit të fituar gjenetik/epigjenetik/fenotipik c) ndikimit ambiental (ndotja, mënyra e jetesës, dieta, patogjenët).

Pra nëse je me Trombofili (të lindur, të fituar, të dyja së bashku), nuk je i sëmurë. Ke një mundësi, predispozicion për të bërë trombozë. Por, nuk të mpihen këmbët nga Trombofilia, nuk ka dhimbje koke nga Trombofilia, nuk ka dhimbje të dhëmbit nga Trombofilia.

Kur një njeri me Trombofili është në situatë ambientale që favorizon trombozat ne përdorim profilaksi antikoagulante/antiagregante, veç e veç, ose të dyja së bashku. Kjo vlerësohet si profilaksi primare kur nuk ka ndodhur asnjëherë aksidenti trombotik, ose dytësor, kur kanë ndodhur me parë dhe do të prandalosh të tjerë. Duhet theksuar se dhe preparatet profilaktike nuk janë ideale. Nuk kanë efikasitet 100%, pra nuk përdorim fjalën “Zerim”, por “minimizim të rrezikut”. Nuk ka mjekim, skemë mjekimi me 100% efikasitet për çdo sëmundje.

Mund të jesh me Trombofili (të lindur, të fituar, të dyja së bashku) dhe mos të bësh asnjëherë tromboze në jetë. Është shans, por dhe kujdesje. Ruani peshën optimale, bëni aktivitet fizik dhe pini ujë (2-3 litra në ditë), këto e ulin rrezikun e trombozave. Jo duhan, jo alkool, jo pije energjike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko