Vaksinimi kundër COVID-19 është i sigurt, efektiv dhe shpëton jetë! Pyetjet në vazhdim shpjegojnë përfitimet dhe efektivitetin e vaksinave.

Ç’përfitime sjell vaksinimi kundër COVID-19?
Vaksinimi kundër COVID-19 ju ndihmon që të mos sëmureni nga COVID-19. Të gjitha vaksinat kundër COVID-19 që ofrohen në SHBA janë provuar shumë të efektshme. Ekspertët po vazhdojnë të studiojnë nëse vaksinat ndihmojnë edhe që të mos përhapet COVID-19. Mbajtja e maskave dhe distancimi social ndihmojnë për të ulur shanset tuaja për ta kapur virusin ose për t’ua ngjitur të tjerëve, por këto masa nuk janë të mjaftueshme. Së bashku, vaksinimi kundër COVID-19 dhe ndjekja e rekomandimeve të CDC për të mbrojtur veten dhe të tjerët do të ofrojnë mbrojtjen optimale ndaj COVID-19.

Si do të punojnë vaksinat kundër varianteve të COVID-19?
Është normale për viruset që të ndryshojnë gjatë kohës që përhapen, duke u shfaqur variante të reja të tyre. CDC-ja po monitoron ndryshimet e virusit në Shtetet e Bashkuara, përfshi ndryshimet me variantin Delta. Shkencëtarët po punojnë për të mësuar më mirë sa lehtë përhapet ky ose ai variant, nëse mund të shkaktojë sëmundje më të rëndë dhe nëse vaksinat që tashmë i kemi do të ofrojnë mbrojtje kundër varianteve specifike të COVID-19. Deri më tash, studimet tregojnë se vaksinat ofrojnë mbrojtje kundër varianteve të njohura. Edhe kur një person i vaksinuar infektohet me COVID-19, është i mbrojtur mirë ndaj sëmundjes së rëndë dhe vdekjes.

A duhet të mbaj maskë kur të vaksinohem për COVID-19?
Po, gjatë takimit duhet të mbani një maskë që t’ju mbulojë hundën dhe gojën.

Sa e efektshme është një dozë e një vaksine Pfizer ose Moderna kundër COVID-19 në krahasim me dy dozat?
Vaksinat Pfizer dhe Moderna kundër COVID-19 nuk janë studiuar për përdorim si një dozë e vetme. Njerëzit duhet t’i marrin të dyja dozat e vaksinës, pra të vaksinohen plotësisht, që vaksina të jetë e efektshme.

A do të monitorohem pasi të vaksinohem?
Personat që kanë pasur shok anafilaktik (reaksion të rëndë alergjik) për çdo arsye, do të mbahen nën vëzhgim për 30 minuta. Të gjithë të tjerët do të monitorohen për 15 minuta.

A do të marr ndonjë dokument që të shërbejë si provë e vaksinimit?
Duhet të merrni një kartë ose fletë vaksinimi, që ju informon se çfarë vaksine COVID-19 keni bërë, datën kur e keni bërë dhe ku e keni bërë. Sigurohuni që ta mbani këtë kartë se do t’ju duhet për dozën e dytë. Mund të nxirrni një foto të saj, për ta pasur si kopje digjitale rezervë. Duhet të merrni edhe një version letër ose elektronik të një flete informative me të dhëna të mëtejshme për vaksinën specifike COVID-19 që po ju ofrohet.

Shoqata Together for Life, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vaksinimit për COVID-19, në kuadër të fushatës “Le të flasim për vaksinat”, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re