Nga Artan FUGA –

Pa kuptuar misteret e historisë së shkuar, nuk kuptojmë dot se çfarë
po ndodh sot! Ka muaj që jeta sociale dhe jeta e përditshme e njerëzve
është shqetësuar dhe çrregulluar nga tensionet politike në vend.
Sigurisht, për të kuptuar se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe me
shqiptarët, çka nuk është e lehtë të kuptohet, përtej thjeshtëzimeve
politike të të dy krahëve, duhet analizuar e sotmja.

E kaluara, shkaqet që vijnë nga historia, nuk mund të ndikojnë, veçse
nëpërmjet faktorëve të tanishëm. Nuk do të shkojmë tej tek ilirët, tek
etruskët, tek australopiteku, te majmuni, për të shpjeguar ngjarjet që
ndodhin në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, para Kryeministrisë apo
në sheshin e qytetit të Fierit apo të Vlorës.

E sotmja duhet shpjeguar me të sotmen. Por ngjarjet e sotme
gjithsesi, nga ana tjetër, vijnë nga një e kaluar dhe nuk lindin nga
asgjëja. Prandaj, na duhet të njohim mirë historinë. Jo sikurse e bëjnë
ca historianë që e shohin atë bardh e zi, që e reduktojnë në disa skema
të ngurta metodologjike, që e kthejnë në shërbëtore të pikëpamjeve të
tyre ideologjike, duke injoruar e fshehur fakte.

E mbi të gjitha, historia e Shqipërisë, pas Luftës të Dytë Botërore, e
cila është në një gjendje për faqe të zezë nga amatorizmi, nga
politizimi, nga spekulimet, sikurse ka qenë dikur e trajtuar për turp si
një gënjeshtër e madhe nga historianët e ndodhur nën diktaturë.

Pa njohur si duhet të kaluarën, e sotmja na fshihet! Na mbetet një
moskuptim i madh. Për shembull, a kishte grupime lidhjesh të
gjithëfarësojta dikur në lidershipin e diktaturës apo vetëm shefi i saj
drejtonte me dorë të hekurt pa u lënë të tjerëve të organizoheshin pa
bërë zë, në grupime klanike midis tyre?

Historiani ideologjik as nuk e çon në mendje këtë gjë, por po qe se
shihet me kujdes e kaluara, dallohen që në majën e udhëheqjes politike
pas Luftës të Dytë botërore ka pasur grupime rivale mes tyre, që kanë
qenë gati t’i hanë kokën njeri-tjetrit dhe kanë qëruar jo pak herë
hesapet me njeri-tjetrin.

Edhe në vitet ‘80, mahisen konflikte të brendshme midis grupimeve të
Hysniut, Ramizit, Mehmetit, Nexhmijes etj., që sigurisht kanë jo vetëm
influenca lokale të ndryshme, jo vetëm kanë kuptime konfliktuale për
politikën, por edhe kanë hallin se kush do ta marrë pushtetin pas
vdekjes të Enver Hoxhës.

Pas secilit nga këta liderë organizohej një grupim i tërë
strukturash, familjesh, hierarkish, të cilët kanë vazhdimësinë dhe
kujtesën e tyre edhe sot. Nuk dihet nëse i ruajnë apo jo ende inatet
midis tyre, rivalitetet e vjetra, por pyetja mbetet: Në konfliktet e
sotme politike, a kanë gjurmë dhe influencë sherret e klaneve kryesore
politike të viteve ‘80?

Ju duket e çuditshme pyetja? Aq më mirë. Sepse, pas tyre
angazhoheshin edhe kultura politike lokale që shprehnin jo vetëm vija
ndarëse më të mëdha, por edhe që vinin nga historia e largët dhe e
afërt. Kishte ndarje influencash politike krahinore.

A kishin individët dhe grupet konfliktuale brenda sistemit totalitar
ndarje ku mund të dallohej zona jugperëndimore e vendit nga ajo
verilindore, zona e jugut nga zona e veriut dhe a vazhdojnë këto ndarje
të luajnë rol në konfliktet e sotme?

Lebërit, skraparllinjtë, bregdetasit, tiranasit, shkodranët,
korçarët, etj., ishin vetëm konotacione kulturore gjeografike apo ishin
edhe disa vija ndarëse në kulturat politike të të njëjtit vend dhe të të
njëjtit sistem politik totalitar?

A kishte një dominim të jugut mbi veriun, të myslimanëve dhe
ortodoksëve mbi katolikët, a kishte një sundim politik të të ardhurve
ndaj autoktonëve tiranas, durrsakë, korçarë e kështu me radhë?

Pyetja duket e çuditshme? Aq më mirë. Kjo është shkenca, kur nisin
pyetjet e çuditshme për t’u dhënë përgjigje! Dhe a kishte ndarje
konfliktuale politike midis lidershipit komunist brenda një shoqërie
ateiste midis myslimanëve, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve
komunistë ose antikomunistë? Historiani i ideologjizuar do të çirret
duke thënë: Çfarë janë këto?Pyetja duket e çuditshme? Aq më mirë.

Unë jam gati të provoj përpara çdo Gjykate Ushtarake dhe drejtuesve
të Akademisë të Shkencave që flenë prej 30 vjetësh mbi dogma ideologjike
dhe kanë bllokuar mendimin e gjallë kombëtar se pyetja është
krejtësisht e bazuar!

Ja pra ku vijmë që brenda të njëjtit identitet kombëtar, ka vend të
pyetet nëse i kemi tejkaluar apo vazhdojmë t’i ruajmë vijat ndarëse me
impakt të fortë në politikën e sotme midis myslimanëve, bektashinjve,
ortodoksëve apo katolikëve, i kemi tejkaluar në planin politik vijat
ndarëse mes korçarëve, shkodranëve, skraparllinjve, lebërve, bregdetasve
etj., apo vazhdojmë t’i ruajmë nën dhé?

I kemi tejkaluar vijat ndarëse politike midis klaneve komuniste të
viteve ‘80 apo vazhdojmë që të pësojmë goditjen shkatërruese të
influencave të aleancave dhe konflikteve të tyre të atëhershme?

Me një fjalë, a e ka kryer Rilindja e shekullit të 19 unitetin
kombëtar në planin politik apo sado që ajo arriti rezultate të mëdha dhe
të pashoqe, tani provohet se përtej një uniciteti totalitar, në liri,
ne vazhdojmë të kemi probleme substrukturore identitare në linjat e
përmendura?

Ju duken të tepërta këto pyetje që Akademia jonë e Shkencave as i ka
bërë kurrë, se nuk ka as këllqet dhe as guximin t’i shtrojë? Aq më mirë.
Shkenca nuk mund të avancojë pa pyetje të çuditshme. Përndryshe,
vazhdojmë avazin e Qemos!

Dhe për ata më ideologjikët, një ftesë për të lexuar veprat e
historianit Fernand Braudel, autoritet në historinë e Mesdheut, ku veç
të tjerash do të gjejë edhe konfliktin mes malësorëve që luftojnë për
pushtet dhe fushorëve që konkurrojnë për të mira ekonomike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re