Vaksinimi kundër COVID-19 është i sigurt, efektiv dhe shpëton jetë!
Pyetjet në vazhdim shpjegojnë përfitimet dhe efektivitetin e vaksinave.

Si mund të jetë e sigurt vaksina, kur ne nuk i njohim efektet anësore afatgjatë?

Vaksinat Pfizer dhe Moderna kundër COVID-19 janë nga ato që ekspertët i quajnë vaksina të lajmëtarit RNA, ose shkurt, mRNA. Vaksina Janssen (Johnson & Johnson) quhet vaksinë me vektor viral. Të dy llojet e vaksinave janë studiuar në prova me kafshë dhe njerëz për vite me Faqe 8 nga 10 radhë. Nga ana tjetër, COVID-19 është shfaqur vetëm para rreth një viti dhe efektet anësore afatgjatë të infeksionit nga COVID-19 janë përgjithësisht të panjohura dhe mund edhe të jenë serioze. Prandaj vaksinimi është gjëja më e mirë që mund të bëni, për shëndetin dhe sigurinë tuaj afatgjatë. Ekspertët do të vazhdojnë të gjurmojnë efektet anësore të vaksinës kundër COVID-19. Pjesëmarrësit në provat klinike do të gjurmohen për 2 vjet. Persona të tjerë që vaksinohen mund të përdorin një vegël të quajtur v-safe në smartfonët e tyre, për ta njoftuar menjëherë CDC-në nëse kanë ndonjë efekt anësor, pasi ta kenë bërë vaksinën kundër COVID-19. Përdoruesit e V-safe mund të bashkëndajnë informacion për deri një vit pas vaksinimit. Mësoni më shumë te cdc.gov/vsafe.

A kanë efekte anësore vaksinat kundër COVID-19?

Disa persona mund të kenë efekte anësore pasi vaksinohen, meqë këto janë shenja normale se trupi juaj po krijon mbrojtje. Këto efekte anësore mund të ndikojnë në aftësinë tuaj për të kryer veprimtari ditore, por duhet të largohen brenda pak ditëve. Efektet anësore më të zakonshme janë minore dhe përfshijnë kapitjen, dhimbjet e kokës, dhimbjet në vendin e injeksionit, dhimbje të muskujve ose të kyçeve, të ngjethëta, të përziera dhe/ose të vjella dhe ethe.

A mundet që një vaksinë kundër COVID-19 të më sëmurë me COVID-19?

Jo. Vaksinat Pfizer, Moderna dhe Janssen (Johnson & Johnson) nuk përmbajnë virus të gjallë, që shkakton COVID-19. Kjo do të thotë se një vaksinë COVID-19 nuk mund t’ju sëmurë me COVID19. (burimi: Fakte për Vaksinat kundër COVID-19 (cdc.gov). Prandaj, nëse testoni pozitiv për COVID-19, edhe po ta keni bërë vaksinën, do t’ju duhet të izoloheni.

A duhet ta bëjë vaksinën COVID-19 dikush që ka një histori alergjish?

Po të keni një histori reaksionesh alergjike serioze (të njohur edhe si shok anafilaktik) ndaj cilitdo përbërësi të vaksinës, nuk duhet t’i bëni vaksinat Pfizer, Moderna ose Janssen (Johnson & Johnson) kundër COVID-19. Po të keni pasur reaksion alergjik të rëndë ndaj diçkaje tjetër, që nuk gjendet në vaksinë, diskutojeni këtë me ofruesin e kujdesit shëndetësor para se ta bëni vaksinën. Edhe pse ka një shans të vogël që vaksinat kundër COVID-19 të shkaktojnë një reaksion të rëndë alergjik, kjo do të ndodhë zakonisht brenda pak minutash deri në një orë pasi ta keni bërë vaksinën. Të gjithë, edhe ata që nuk vuajnë nga ndonjë alergji, do të monitorohen për së paku 15 minuta pasi ta bëjnë një vaksinë kundër COVID-19.

Cilët janë përbërësit e vaksinës?

Vaksinat nuk përmbajnë vezë, xhelatinë, preservues ose lateks. Fletët informative të vaksinave kundër COVID-19 për marrësit dhe ofruesit e kujdesit renditin përbërësit në çdo vaksinë në faqet 2-3: Comirnaty/Pfizer, Moderna, dhe Johnson & Johnson (Janssen).

Shoqata Together for Life, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj vaksinimit për COVID-19, në kuadër të fushatës “Le të flasim për vaksinat”, mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Shqipëri – WHO Albania.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re