Zjarret janë kthyer në një shqetësim serioz për një sërë territoresh të vendit. Veçanërisht ato që vihen me qëllim për të djegur pjesë të kullotave apo barishteve e që më pas dalin jashtë kontrollit dhe djegin sipërfaqe të tëra pyjore.

Ditën e djeshme në pyllin e Sodës në Vlorë, u regjistruan tre vatra zjarri në 24 orë. Zjarri i tretë u pikas në orët e pasdites dhe dyshohet të jetë i qëllimshëm.

Mbi këtë arsye, autoritetet kanë nisur një punë kërkimore për të identifikuar ‘piromanët’ që janë bërë shkak për flakët.

Pylli i Sodës mbetet një ndër zonat ku ka më shumë zjarre dhe për këtë arsye, atje është vendosur një stacion provizor i zjarrfikësve.

Duke kaluar nga Vlora në Mirditë, autoritetet kanë njoftuar këtë të premte se një 66 vjeçar është ndaluar, pasi zjarri që ai ka ndezur në oborrin e tij ka dalë jashtë kontrollit, duke djegur jo pak, por 60 ha sipërfaqe pyjore me dru lisi.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Simon, Mirditë, kishte rënë zjarr, i cili kishte dalë nga kontrolli, duke avancuar dhe duke përfshirë sipërfaqe të madhe me pyje, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë identifikuar autorin e dyshuar të zjarrvënies, shtetasin M. N., 66 vjeç, banues në fshatin Simon, Mirditë, i cili është larguar nga vendngjarja, por është kapur dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë, pas disa orësh ndjekjeje.

Ky shtetas ka ndezur zjarr në oborrin e banesës së tij dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit duke djegur pemët frutore të bahçes dhe më pas ka përfshirë edhe pyjet në lagjet “Laskaj”, “Hija e Laknave” dhe “Kodra e Muknezhës”. Si pasojë e përhapjes së flakëve janë djegur rreth 60 ha sipërfaqe pylli me dru lisi.”-njoftoi policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re