Rreth 10 mijë fidanë pishe iu shtuan këtë fundjavë Parkut të Liqenit të Vaqarrit. Dhjetëra vullnetarë dhe punonjës të institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan aksionit për mbjelljen e fidanëve të rinj.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se tani është koha për të rikuperuar sipërfaqet e gjelbra, të cilat janë dëmtuar ndër vite nga dora e njeriut.
“Jemi në një zonë, e cila në fund të viteve ‘90 ishte e gjitha e gjelbëruar, plot me pisha e dafina. Tani kemi dy mundësi, o të vajtojmë të mirat që kishim dhe i prishëm vetë, ose të themi: sot është dita të fillojmë rikuperimin dhe të kemi një ofensivë të së mirës ndaj së keqes, të gjelbërimit ndaj atyre që abuzojnë e që presin pyjet. Kemi arritur një nivel emancipimi, ku sot duhet t’i kthejmë reston natyrës, jo vetëm se kjo është gjëja e drejtë për të bërë për mjedisin, por mbi të gjitha është e drejtë për fëmijët. Një qytet, i cili pret vetë pemët e veta dhe nuk i rimbjell ose nuk rikuperon humbjet, do të thotë se është një qytet pa memorie për të shkuarën, por edhe pa të ardhme për fëmijët e tij”
Veliaj tha se rreth Liqenit të Vaqarrit këtë vit do të mbillen 50 mijë fidanë të rinj.
“Në total do të kemi 30 mijë pisha dhe 20 mijë dafina. Sot kemi vetëm lotin e parë. Jam i bindur se nëse vazhdojmë me këtë ritëm çdo vit, do kemi mundësi jo vetëm të rikuperojmë ç’kemi humbur, por do kemi mundësi t’i lëmë një pajë gjeneratës tjetër që dallon nga paja që na u trashëgua nga prindërit tanë në vitet ’90, ku çdo gjë publike konsiderohej pa zot, prerja e druve u kthye në modë dhe hedhja e plehrave dokudo ishte një lloj norme”, nënvizoi ai.