Historia, pozita gjeografike, rrëzë malit Tomorr e bëjnë Qafë-Dardhën, Berat, fshatin më tërheqës që ka potenciale turizmi pa fund.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi publikoi disa fotografi me pamje nga Qafë Dardha, të cilën e konsideron një destinacion të madh turistik të Beratit.

“Nga Qafë- Dardha mund të nisesh për në Malin e Tomorit. Bujtina e fshatit ju pret përsëri në kthim. Një pikënisje dhe pikëmbërritje e mirë për ta kthyer këtë zonë në destinacionin më të madh turistik të Beratit”, – shprehet Klosi.

Zoti i ka falur Qafë-Dardhës gjithçka, që nga kodrat, pyjet dhe monumentet natyrore. Dardha vizitohet nga të huajt që dashurojnë natyrën. Kryesisht gjatë verës në Dardhë nuk mungojnë vizitorët ditorë, të cilët preferojnë pamjen e malit, kodrat, pyllin, ujin e ftohtë në të gjithë zonën, ajrin e pastër dhe produktet bio të bulmetrave, frutat etj.

Zona e Dardhës ka potenciale natyrore, histori që lidhen me të shkuarën e fshatit, ujëvara, sipërfaqe toke mjaft prodhuese dhe vende për kullotjen e bagëtisë. Kjo zonë ka dhe vlera të patjetërsueshme historike, pasi këtu dikur përshkruhej e ashtuquajtura “Rruga e karvanëve të Korçës”, ku nga vendi i quajtur “Hani i Perisnakës” karvanet shkonin në një ngushticë drejt Korçës.

Këtu ndodhen dhe të tjera monumente natyre, si “Çuruqet e Bezgës”, “Ujëvara e Sotirës”, apo “Çezma e Tarikos”.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re