Vijon të mbetet i lartë fluksi i kalimeve në pikat kufitare të Qafë thanës dhe Kapshticës. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në vendin tonë nga Maqedonia e Veriut 5681 qytetarë dhe kanë udhëtuar drejt vendit fqinj 4876 qytetarë.

Kontrolli i përbashkët mes policisë kufitare të dy vendeve ka lehtësuar procedurat për udhëtarët, të cilët si në hyrje ashtu edhe në dalje, presin vetëm pak minuta.

“Po vijmë për pushime në Shqipëri, për herë të pare. Do të qendrojmë një javë. Kalimi shkoi shumë mirë, nuk patëm asnjë problem.”

Shumica e udhëtarëve vijnë nga vendet e Ballkanit por edhe Evropës për të pushuar, duke preferuar, kryesisht bregdetin.

Edhe në pikën kufitare të Kapshticës vijon të ketë fluks të lëvizjeve. Në 24 orët kanë hyrë 4587 qytetarë dhe kanë dalë nga territori ynë  3237 qytetarë.

Për të menaxhuar fluksin policia jonë kufitare ka hapur 5 sportele në hyrje dhe dalje, ndërsa pala greke punon me 3 sportele.

Autoritetet e Kufirit kanë marrë masa për të shtuar sportelet dhe personelin, në rast të rritjes së numrit të udhëtarëve që kalojnë nga pikat kufitare të juglindjes./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re