Fadil Sahiti

“Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj; përderisa çdo familje e palumtur është e palumtur në mënyrën e vet” – Lev Tolstoy.

M’u duk epike një deklaratë e njërit prej udhëheqësve të Lëvizjes Vetëvendosje: “Me gjithë qenien tonë qëndrojmë prapa aspiratave të popullit tonë për t’u bërë bashkë”.

Shkruan: Fadil Sahiti

Në fakt, ky togfjalësh ka qenë zemra e programit politik që nga themelimi i kësaj partie. Së paku për dy arsye, kjo kauzë politike më duket krejtësisht populiste, iracionale, demagogjike dhe e dëmshme. E para, nuk besoj se ka ndonjë korelacion logjik mes mjerimit politik dhe ekonomik që i ka pllakosur dy shtetet shqiptare dhe ndarjes sonë si komb. Gjithashtu, vështirë të besohet që bashkimi eventual kombëtar do të na i zgjidhë problemet që i kemi. Madje, mund të ndodhë e kundërta: të bashkuar në mjerim dhe krim, bashkimi në një shtet mund të shtojë më shumë vuajtjet tona. E dyta, e trumbetojnë bashkimin, por nuk na thonë cilat janë mjetet politike përmes të cilave do ta arrijnë këtë. Nëse e mendojnë vetëm guximin politik që kanë për ta shpallur bashkimin në Parlament, atëherë ky s’është mjet, por akt. Por, një akt i tillë, pa mbështetje ndërkombëtare, mund të prodhojë efekte negative për ne.

Në kushtet e një jete të izoluar, që më shumë i ngjan jetës së kampeve të përqendrimit, ku shumica e banorëve të saj e mendojnë veç ikjen, kërkesa për bashkim kombëtar është postulat politik i papërgjegjshëm. Konsekuenca në këtë kauzë dëshmon se VV nuk ka hequr dorë nga qasja utopike dhe esencialiste e të bërit politikë, qasje që bazohet në një ideal absolut dhe të pandryshuar. Personalisht, këtë e shoh si metodologji politike krejt të kotë, mjaft të rrezikshme dhe që meriton çdo kritikë.

Po ashtu më bëri përshtypje një deklaratë e liderit të VV-së dhënë një televizioni, ku tha se “për idealet tona të përbashkëta, unë jam i gatshëm të vdes”.

Nuk besoj që i duhet dikujt vdekja e tij, apo përkushtimi i tij për të na bërë të lumtur. Jemi ngopur me heronj të luftës dhe të vdekjes. Neve na duhen heronj që dinë të përmirësojnë cilësinë e jetës sonë dhe që e konsolidojnë besimin tonë tek shteti. Një qytetar që jeton në kushte të mjerimit mund ta ketë veç një kërkesë: si t’i zvogëlojë apo evitojë vuajtjet e jetës.

Një parti politike me orientim majtist dhe një politikan modern majtist do të adoptonte qasje racionaliste mbi politikën; do ta vinte fokusin në luftën kundër të keqes më të madhe në shoqëri, e të tilla ka mjaft; programin e vet politik nuk do ta bazonte në një ëndërr, në një kauzë utopike, por në principe shkencore dhe në evidencë empirike; do të fokusohej në evidentimin dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, e jo në arritjen e gjoja të ‘lumturisë’ së kombit.

Dallimi në mes qasjes racionale dhe qasjes utopike në politikë është larg të qënit thjeshtë dallim verbal. E para mund të zbatohet në çdo moment, gjersa qasja utopike mund të shtyhet vazhdimisht deri në një datë të mëvonshme, atëherë kur kushtet janë të favorshme. E para, në çdo kohë dhe në çdo vend është e provuar si e suksesshme, kurse e dyta historikisht ka çuar vetëm në përdorimin e dhunës. Morbiditeti i liderëve të papërgjegjshëm për të përjetësuar ëndrrën e tyre politike dhe përjetësimin e emrit të tyre në histori, jo rrallë ka prodhuar gjakderdhje.

Si përfundim, utopia e bashkimit të trojeve shqiptare është pafundësisht më e ndërlikuar sesa mund të mendojnë “profesionistët dhe kujdestarët e patriotizmit”. Realizimi i saj, më shumë se gjithçka tjetër kërkon pasion, që pashmangshmërisht mund të na çojë drejt dhunës. Në anën tjetër, qasja racionale në politikë është metodologjikisht e shëndoshë, tokësore dhe e thjeshtë për t’u realizuar. Krejt çfarë duhet është krijimi i institucioneve që mundësojnë reformimin, ta zëmë të shëndetësisë, të ekonomisë, të sistemit arsimor etj. Në rast dështimesh, dëmet nuk janë shumë të madha dhe rregullimi i tyre nuk është shumë i vështirë.

Është e rëndësishme që kjo kritikë të kuptohet si duhet. Nuk e kritikoj idealin duke pretenduar se një ideal nuk mund të realizohet kurrë, se gjithmonë duhet të mbetet një utopi. Ajo që unë kritikoj është ngjyrimi politik që i japin populistët nocionit ideal, e kauzën për bashkim kombëtar e shoh si të tillë – utopi. Kjo sepse një bashkim fizik dhe juridik gjithëkombëtar kërkon ndryshime shumë gjithëpërfshirëse, pasojat praktike të së cilës janë të vështira për t’u llogaritur. Nga ana tjetër, një bashkim funksional dhe i vërtetë ekonomik, kulturor, arsimor, sportiv, pa prekur kufijtë aktual – që e eviton konfliktin me fqinjët dhe me bashkësinë ndërkombëtare – është shumë më i arritshëm dhe shumë më i dobishëm.

(Autori studimet për master i ka mbaruar në Universitetin Kurt Bösch. Doktoratën e ka nga Universiteti i Londrës – Birkbeck. Momentalisht jep mësim në RIT Kosovo (A.U.K), ndërkaq më parë ka ligjëruar në institucionet prestigjioze arsimore, si Birkbeck, London School of Economics dhe University College London)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re