Nga Namir LAPARDHAJA* –

Amin Maalouf është një ndër mendjet bashkëkohore më brilante, më të iluminuara dhe më të hapura përsa i përket çështjes së studimit të identiteteve, kulturave, religjoneve dhe marrëdhënieve që të gjitha këto kanë me njëra-tjetrën.

Libri i tij “Identitete vrastare” (Botime ONUFRI, Tiranë 2006) është një manifest dhe çdokush që shkruan ose përpiqet të shkruajë për identitetin (identitetet), religjonin, marrëdhënien dhe vendin që ky i fundit ka në jetën e gjithsecilit duhet që jo vetëm të konsultohet, por edhe t’i referohet.

Maalouf është një i krishterë libanez, i cili në vitin 1976 është shpërngulur përfundimisht në Francë.

Të qenurit i krishterë dhe të pasurit të gjuhës së nënës arabishten, gjuhën e Kuranit, është një nga paradokset thelbësore që ka shenjuar identitetin e tij.

Që në fillim të librit të tij Maalouf flet për identitete “vrastare”, duke pasur parasysh reduktimin e identitetit në një përkatësi, duke i vendosur njerëzit në një marrëdhënie të pjesshme, sektare, intolerante, zotëruese, e nganjëherë vetëvrasëse…

Ai inkurajon në përballimin e përkatësive të shumëfishta.

Nëse ata nuk mund të pajtojnë nevojën për identitet me një hapje të sinqertë dhe të pakompleksuar ndaj kulturave të tjera, – thotë Maalouf, – nëse ndjehen të shtrënguar për të zgjedhur midis mohimit të vetvetes dhe mohimit të tjetrit, atëherë do të jemi duke krijuar një armatë të çmendurish gjakatarë, një armatë humbëtarësh.

Maalouf ngre disa pyetje, duke shkruar: “Kur në një vend banorët kanë ndjesinë se i përkasin komuniteteve të ndryshme fetare, gjuhësore, etnike, raciale, fisnore apo të tjera – si duhet ta “trajtojmë” këtë realitet? A duhen marrë parasysh këto përkatësi? Deri në ç’pikë? A mos duhen injoruar? A të bëjmë sikur nuk i shohim?”

Më tej ai ndalet tek shembulli libanez: “I pari merak i “shpikësve” të formulës libaneze ishte shmangia në zgjedhje e përballjes së një kandidati të krishterë me një kandidat mysliman, me qëllim që komunitetet përkatëse të mos mbështilleshin vetvetiu rreth “birit të tyre”; u mendua që zonat të ndaheshin në mënyrë të atillë që të mos përplaseshin asnjëherë dy komunitete, por dy kandidatë që i përkasin të njëjtit komunitet.”

Por kjo formulë, sipas Maalouf, shumë shpejt nxorri në pah një mori defektesh, sepse “kur morën ta vinin në jetë në të gjitha nivelet e pushtetit, që nga Presidenca e Republikës, deri në Parlament apo në administratë, ndodhi që çdo post i rëndësishëm u bë “pronë” e një komuniteti të vetëm.

Në këtë kuptim, midis dy kandidatëve për një funksion, nuk zgjidhej më i zoti, por ai, komuniteti i të cilit “kishte të drejtën” mbi këtë post.

Në fund ai thotë: “Për sa kohë që vendi i një njeriu në një shoqëri vazhdon të varet nga përkatësia e tij ndaj këtij apo atij komuniteti, i zgjatet jeta një sistemi pervers që veçse i thellon ndarjet; nëse kërkojmë t’i zvogëlojmë pabarazitë, padrejtësitë, tensionet raciale, etnike, fetare apo të tjera, i vetmi qëllim i arsyeshëm, i vetmi qëllim që të nderon, është që të punohet që çdo qytetar të trajtohet si një qytetar me të drejta të plota, cilatdo qofshin përkatësitë e tij”.

Ndaj diskutimet për përkatësitë fetare të njërit apo të tjetrit, sidomos kur bëhet fjalë për angazhime politike, publike apo administrative, duken të kota, shterpe dhe të pavlera, për sa kohë që feja dhe religjoni janë aspekte të përbrendësisë së njeriut, të thellësisë së zemrës dhe të shpirtit, jo domosdoshmërisht të kuptueshme dhe të besueshme apriori prej gjithkujt, por në mënyrë taksative të respektueshme ndaj kujtdo që beson dhe praktikon, çfarëdolloj besimi apo praktike qoftë ajo, me kushtin e vetëm që të mos bëhen pengesë për hapësirën vetjake dhe publike të tjetrit.

Ndërsa zgjedhja në bazë të përkatësive fetare e posteve administrative, politike dhe partiake, dhe jo në bazë të meritokracisë, vlerave dhe formimit, është rrugë pa krye, për të cilën vendi ynë nuk ka nevojë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re