Gazetari nga Kosova Shkumbin Kajtazi është sulmuar nga persona të panjohur mbrëmjen e kaluar.

Automjeti i tij është goditur me rreth gjashtë plumba gjatë natës.

Lajmin për sulmin e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një statusi në rrjetet sociale ku ka publikuar dhe fotot.

POSTIMI:

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda.

Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re