Kur kanë kaluar pothuajse 24 orë nga vrasja e efektivit të Shqiponjave, Novruz Cenaliaj me plumb në kokë, ende nuk ka asnjë gjurmë se ku ndodhet autori i dyshuar i krimit të rëndë, 23-vjeçari Asllan Mernica alias Azgan Mernica.
Lokalizimi i tij përmes qelizave të telefonit i pamundur, për shkak se 23-vjeçari e ka lënë celularin në makinë përpara se të arratisej.
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz dhe ende mbetet mister arsyeja e vrasjes së efektivit, i cili ishte me uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte shërbimin kur u përball në rrugë me 23-vjeçarin, i cili udhëtonte me një mjet tip Audi së bashku me nënën e tij.
“Aty kam dëgjuar një të shtënë arme”, ka deklaruar nëna e Azgan Mernicës, e cila po udhëtonte në mjet së bashku me të birin. Më pas, ajo rrëfeu se djali i saj u rikthye sërish në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së vëllai të saj.
“Djali iku me vrap pa më thënë se ku do shkonte”, përfundoi gruaja dëshminë.
Policia e Fierit ka marrë në pyetje 12 persona, mes tyre edhe prindërit e autorit të dyshuar, Petrit Mernica dhe Ajete Mernica.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe disa të rinj, të cilët kanë dëshmua para hetuesve dinamikën e krimit.
Ndërkohë policia ka dhënë shpërblim 30 mijë euro për çdo informacion që çon në kapjen e autorit të krimit.



