KURBIN- Plot 20 ditë pasi një i riu ka qëlluar me armë zjarri në ajër në qendër të qytetit të Mamurrasit, policia ka bërë të mundur arrestimin e tij. Ngjarja ka ndodhur më 7 korrik të këtij viti, ku 22-vjeçari Emiljan Lleshaj, pasi qëlloi me armë, u largua duke mos iu bindur punonjësve të policisë.

Pas kërsaj ngjarje, forcat e policisë vijuan punën për kapjen e tij, dhe pas infomacioneve të marra në kuadër të operacionit “Mamurrasi” bënë të mundur arrestimin e tij.

“Ky shtetas, ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Kurbin, për veprat penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese e municionit”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 278/3, 274 dhe 242 të Kodit Penal, pasi më datë 07.07.2018, në qytet Mamurras, duke lëvizur me mjetin e tij tip Audi, ka qëlluar në ajër me armë zjarri, si dhe është larguar duke mos u bindur punonjësve të policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu, për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin datë 25.07.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest më burg”.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin.

(BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re